Duan përforcime

Sport August 18, 2018 - 10:15
Lexo detajet

Tifozët e Real Madridit kërkojnë nga presidenti Florentino Perez të bëjë përforcime në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës. 88 për qind e votave të sondazhit mendojnë se “Los Blancos” kanë nevojë të bëjnë transferime mbi të gjitha në fazën e sulmit. Pasi Kane, Lewandowski, Mbappe e Cavani duken të paarritshëm, kampionët e Evropës i kanë në opsion Icardin, Wernerin e Rodrigon, shkruan "Zëri'. 

Tifozët e Real Madridit kanë votuar rreth përforcimeve që do të donin ata t’i bëjë klubi në ditët e mbetura të gushtit, kur edhe përfundon afati kalimtar i verës.

“Los Blancos” mbetën pa yllin kryesor Cristiano Ronaldo, i cili përfundoi në Juventus, ndërsa tash kampioni evropian po mendon që paratë e fituara nga shitja e portugezit t’i përdorë për përforcime. “Merengues” janë në kërkim të një sulmuesi të madh për ta kompletuar sulmin, i cili momentalisht përbëhet nga Gareth Bale, Karim Benzema e Marco Asensio, të cilët janë të pamjaftueshëm për ta përballuar sezonin e gjatë dhe të mundimshëm.

Andaj, e përditshmja spanjolle “AS”, e afërt me klubin madrilen, e ka realizuar një sondazh ku 88 për qind e fansave kanë kërkuar nga presidenti Florentino Perez që ta përforcojë ekipin deri më 31 gusht kur mbyllet afati kalimtar i verës.

I njëjti publikim sugjeronte se janë tri opsione të cilat mund t’i ketë në dispozicion trajneri Julen Lopetegui, ndërsa si mundësi nuk janë top-tragetet, Harry Kane, Robert Lewandowski, Kylian Mbappe e Edinson Cavani.

Ylli i Interit, Mauro Icardi, sulmuesi i RB Leipzigut, Timo Werner dhe sulmuesi i Valencias, Ridrigo e kanë zgjuar interesimin e Realit dhe shihen si e ardhme e klubit.

Arritja deri tek Icardi duket e vështirë pasi klubi nga Serie A nuk është i interesuar ta shesë sulmuesin argjentinas dhe për shkak se afati kalimtar në Itali ka skaduar dje dhe Interi nuk ka kohë për ta zëvendësuar atë.

Sidoqoftë, gjiganti spanjoll është ende në lojë për përfaqësuesin gjerman, Werner dhe trajneri Lopetegui gjithashtu njihet si një admirues i Rodrigos, të cilin e kishte përfshirë në ekipin e Spanjës për Botërorin e Rusisë, i cili u mbajt në fillim të verës.

Fituesi i fundit i Ligës së Kampionëve domosdoshmërish duhet ta transferojë një sulmues pasi mbeti pa Ronaldon këtë verë, edhe pse do ta ketë mjaft të vështirë ta zëvendësojë yllin portugez.

Thuhet se Valencia i kërkon afro 80 milionë për Rodrigon, ndërsa ekzistojnë dyshime rreth aftësive të Wernerit për të performuar në nivele të larta çdo javë.

Efekti i largimit të Ronaldos, por edhe i trajnerit Zinedine Zidane u ndie shumë në ndeshjen e Superkupës së Evropës, ku “Los Blancos” u mposhtën nga Atletico Madridi me rezultat 4:2 pas vazhdimeve, në ndeshjen e zhvilluar në Estoni. /Zëri