Peja 'godet' FBK-në pas përjashtimit nga garat

Sport August 18, 2018 - 09:02
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Klubi i basketbollit Peja ka reaguar ndaj vendimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës për përjashtimin e saj nga garat pasi nuk arriti t’i shlyente me kohë borxhet që kishte, shkruan "Zëri". 

Pejanët e kanë akuzuar shtëpinë e basketbollit kosovar se po punon në shkatërrimin e sportit dhe kanë kërcënuar se do të ankohen në instancat më të larta për këtë vendim, të cilin e kanë konsideruar si skandaloz.

“Vendimi i FBK-së për përjashtimin e Pejës ishte skandaloz. Misioni i Federatave është masovizimi i sportit, kurse i FBK-së është shkatërrimi i sportit duke shuar klube për interesa personale dhe duke mos dhënë asnjë ndihmë në kalimin e situatës dhe krizës në të cilën gjenden klubet, jo vetëm Peja, por edhe shumë klube tjera në Kosovë. Federata në mënyrë arbitrare dhe tërësisht të parregullt dëshiron t’ua japë mundësinë klubeve sekondare, klubeve të inatit të cilët nuk kanë as histori e as buxhet e financa. Në ditët në vazhdim klubi do të kërkojë drejtësi në të gjitha organet. Sot ne jemi viktimë e një hakmarrjeje të ulët pasi nuk e përkrahëm këtë ‘klikë’. Kërkojmë nga FBK-ja ta rishqyrtojë vendimin e saj. KB Peja nuk shuhet, është klub i gjithë qytetit dhe i gjithë Kosovës dhe askush nuk mund të luajë me fatin e KB Pejës”, shkruan në reagimin e pejanëve. /Zëri