Reali ankohet në FIFA për Modricin

Sport August 17, 2018 - 16:14

Real Madridi e ka raportuar Interin në FIFA për shkak të, siç thuhet, sjelljes ilegale që po e bën klubi italian ndaj mesfushorit Luka Modric, shkruan Zeri.info.

Kroati 32 vjeç, i cili e drejtoi Kombëtaren e tij drejt finales së Botërorit të fundit, me ç’rast u shpall edhe futbollisti më i mirë i “Rusia 2018”, lidhet me një kalim të mundshëm në Serie A.

Presidenti i Realit, Florentino Perez më herët gjatë këtij muaji kishte thënë se mënyra e vetme për ta transferuar Modricin ishte që klubi i cili e do atë t’i paguajë 750 milionë euro, shumë kjo që është vendosur në klauzolën e tij për shkëputjen e kontratës.

Andaj, “Los Blancos” u ankuan në FIFA pasi frikësohen se Interi do të përdorë mënyra jo të rregullta për ta transferuar ish-futbollistin e Tottenhamit.

Gjiganti spanjoll e kishte shitur Cristiano Ronaldon në Juventus për 105 milionë euro dhe nuk dëshiron ta humbasë edhe një yll tjetër.

Modric ishte transferuar në Real nga Tottenhami në vitin 2012 dhe me klubin nga Madridi deri tash ka fituar gjithçka. /Zëri/