Granit drejtori

Sport August 17, 2018 - 10:33
Image

Granit Rugova nuk do të gjuajë më në kosh. Rekordmeni kosovar i ka dhënë fund karrierës si basketbollist aktiv. Shkak është bërë aksidenti i trafikut në të cilin muaj më parë vdiq Gazmend Sinani, kurse Graniti dhe vëllai i tij Fisniku pësuan lëndime trupore. Duke e parë se kthimi në parket prej atij incidenti kërkon kohë 32-vjeçari ka vendosur të pensionohet para kohe. Graniti do të mbetet pjesë e basketbollit, por si drejtor në Përfaqësuese të Kosovës. Kurse vëllai i tij, Fisi, do t’i kthehet basketbollit posa të shërohet nga lëndimet e pësuara në aksidentin në komunikacion, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Basketbollisti rekordmen i Kosovës Granit Rugova, i cili kishte realizuar 110 pikë në një ndeshje, i ka dhënë fund karrierës. Incidenti tragjik që ndodhi muaj më parë, ku e humbi jetën basketbollisti Gazmend Sinani, ka qenë fatal edhe për Rugovën, i cili për shkak të lëndimeve trupore të pësuara detyrohet ta mbyllë karrierën para kohe.

32-vjeçari megjithatë nuk do të largohet nga bota e basketbollit pasi kontributin e tij tash e tutje do ta japë në rolin e drejtorit të Përfaqësueseve. “Nuk e kam pritur të tërhiqem në këtë moment, por e bëra këtë për arsye shëndetësore, pas aksidentit që e pësuam kohë më parë ku pësova disa dëmtime në gju më të rënda dhe më serioze, të cilat kërkojnë më shumë se gjashtë muaj për t’u shëruar. Andaj mendova se ndoshta është koha e duhur të largohem nga basketbolli si lojtar aktiv. Por, unë nuk u largova tërësisht pasi prapë jam aty ku kam qenë, do ta jap kontributin tim për basketbollin dhe ndaj FBK-së tashmë jo si lojtar, por në rolin e drejtorit të Përfaqësueseve”, ka shpjeguar Rugova për “Zërin”.

Karriera e gjatë në basketboll mendon se do ta ndihmojë që ta kryejë me përpikëri dhe si duhet rolin e ri, i cili sigurisht e ka përgjegjësi. “Mendoj se pozita është ideale për mua, pasi që kam njohuri shumë të mëdha në basketboll. Kam kaluar shumë gjëra, njëkohësisht kam kualifikime të tjera që më ndihmojnë në këtë lëmi. Do ta jap kontributin tim. Nuk pritet të bëj mrekulli, mirëpo do ta jap më të mirën që mundem”, vazhdoi ai.

I kënaqur me karrierën

Rugova e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës te Prishtina, por ka luajtur përkohësisht edhe në Bashkim. Ai ka fituar trofe të shumtë me Bardhekaltrit dhe në përgjithësi është i kënaqur me ato që i ka arritur në karrierë.

“Njeriu gjithmonë ka dëshirë të arrijë sa më shumë. Unë për vete jam i kënaqur me karrierën, me të gjitha të arriturat, pavarësisht fatit të keq që e kemi pasur. Krejt e dinë punën, duke u nisur nga pasaportat, vizat dhe izolimi i basketbollit kosovar deri në një kohë”, shton Rugova, i cili insiston se po ta niste në këtë kohë karrierën do të mundë të luante ndoshta edhe jashtë vendit.

“Po ta kisha fatin e këtyre lojtarëve 16-vjeçarë, që po luajnë në kualifikime për Evropianë dhe Botëror, do të kisha më shumë mundësi që ta tregoja veten dhe me siguri do të kisha karrierë edhe më të pasur. Por, kjo tashmë ka mbetur e kaluar. Në përgjithësi jam i kënaqur dhe krenar me ato që i kam arritur”, shpjegon Rugova për "Zërin".

Rekordmeni i Kosovës

Rugova do të mbahet në mend gjithmonë për kontributin e tij në basketbollin kosovar. Por, ajo që e veçon nga të tjerët është se ai e mban primatin sa u përket pikëve të shënuara. Besoni ose jo ai i kishte shënuar i vetëm plot 110 pikë në një ndeshje, shkruan "Zëri".

Dhe, kjo e arritur e bën atë renar. “I kam shënuar 110 pikë, një rekord botëror. Ndihem mjaft mirë për këtë”, thekson Rugova.

Basketbollin kosovar s’e lë siç do të donte

Basketbolli kosovar ka rënë për toke. Klubet gjenden në krizë të thellë financiare dhe Superliga nuk ka qenë asnjëherë më e dobët. Edhe Rugovës i vjen keq që po e lë basketbollin kosovar në këtë gjendje të mjerueshme.

“Basketbollin nuk po e lë në gjendjen që kisha dashur. Por, ne kemi potencial dhe me një angazhim, me një punë profesionale, basketbolli mundet të shkojë përpara. Edhe Përfaqësuesja varet nga cilësia e ligës, kështu që duhet të punojmë bashkërisht që të shkojmë përpara”, përfundoi Rugova.

Rugova konsiderohet si njëri prej basketbollistëve më të mirë që nga paslufta. Krahas sukseseve me Prishtinën ai ka qenë pjesë e suksesit të Përfaqësueses së Kosovës në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Fisi është mirë, vazhdon karrierën

Në aksidentin fatal të disa muajve më parë lëndime trupore kishte pësuar edhe vëllai i Granitit, Fisnik Rugova. Ky i fundit megjithatë do t’i kthehet basketbollit kur të shërohet plotësisht.

“Fisniku është në gjendje të mirë, pjesën më të madhe të lëndimeve e ka kaluar dhe shumë shpejt do t’i bashkëngjitet Përfaqësueses së Kosovës”, tregoi Rugova senior, i cili ka luajtur me vëllain e tij më të vogël së bashku për disa vite. /Zëri/