Ia kemi me borxh Kosovës!

Sport August 16, 2018 - 13:04

Bersant Celina nuk është si lojtarët tjerë. Futbollisti kosovar ka diçka më shumë, diçka më ndryshe. 21-vjeçari e ka rrëfyer historinë e vështirë të familjes dhe të popullit të tij, vuajtjet dhe sakrificën për të arritur aty ku është sot. Futbollisti i ri i Swansea Cityt u është mirënjohës prindërve që punuan për t’ia siguruar atij një jetë të sigurt, por edhe Norvegjisë që i dha gjithçka. Mirëpo, në fund e dëgjoi zemrën dhe e përqafoi Përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën ka synime të mëdha

Bersant Celina e ka zbuluar historinë e tij të dhimbshme pak javë pasi i është bashkuar Swansea Cityt.

Futbollisti kosovar nuk është si lojtarët tjerë, shkruan sot gazeta Zëri.

Ai ka diçka më shumë. Një përjetim më shumë. Një vuajtje më shumë.

21-vjeçari duket i lumtur, por e kaluara e familjes dhe e vendit të tij ia ka lënë një njollë të zezë në zemër.

Celina është rritur në Norvegji, ndërsa më pas është transferuar në akademinë e Manchester Cityt.

Kishte një periudhë të suksesshme huazimi në FC Twente dhe në Ipswich Town, ndërsa tash do ta ketë një qëndrim më afatgjatë në “Liberty Stadium” nën drejtimin e trajnerit Graham Potter.

Rrugëtimi i vështirë i familjes Celina

Por si erdhi Bersanti deri këtu?

Nuk duhen harruar asnjëherë sakrificat që bëri familja Celina për ta mbajtur të mbrojtur lojtarin gjatë formimit të tij.

Mesfushori ofensivë ishte vetëm dyvjeçar kur në Kosovë plasi lufta, e cila përfundoi pas intervenimit të NATO-s.

Rreth 13.000 njerëz u vranë, ndërsa afro 1 milion njerëz u larguan nga vendi në atë kohë.

Celinat vinin nga Prizreni, por kjo familje lëvizi drejt Drammenit në Norvegji për të kërkuar një jetë më të mirë.

Bersanti është shumë i ri për ta kujtuar atë periudhë, por ai është i vetëdijshëm se prindërit e tij, Eduari e Mimoza, bënë shumë sakrifica për të nisur gjithçka nga zeroja.

“Kishte të bënte me sigurinë tonë. Unë nuk e kujtoj atë kohë sepse isha shumë i ri”, ka thënë Celina në rrëfimin e tij për “walesonline.co.uk”.

“Ishte një periudhë e vështirë dhe ishte gjë e mirë që ne shkuam në Norvegji. Nëna ime e kishte familjen atje dhe kjo ishte arsyeja përse ne shkuam. Por kemi mundur të shkonim edhe diku tjetër, pasi njerëzit nga Kosova përfunduan në vende të ndryshme. Nuk është diçka që më pëlqen të flas shumë për këtë temë, por njerëzit, në këtë rast edhe familja ime, e kishin kaluar një periudhë të vështirë”, shton ai.

“Fillimisht ke gjithçka, e më pas asgjë. Prindërit e mi është dashur të nisnin gjithçka nga fillimi pasi kishin humbur çdo gjë. Që nga letrat, shkolla dhe puna. Ne ishim imigrantë në një vend tjetër. Mirëpo, Norvegjia ishte një vend mjaft i mirë dhe është sjellë mjaft mirë me ne”, thekson Celina.

E la Norvegjinë për Kosovën

Pasi ishte rritur në Skandinavi, ai ishte krenar që ta përfaqësonte Norvegjinë për grupmoshat e reja.

Por kur i erdhi mundësia të luante për Kosovën në nivelin e seniorëve, nuk mund ta lëshonte këtë mundësi.

Ky nuk ishte një vendim i lehtë, por ai nuk kishte kurrë dyshime sa i përket vendit që dëshironte ta përfaqësonte.

Kosova nisi të bënte ndeshje miqësore në vitin 2014 dhe Celina ishte në bankinë në lojën e parë kundër Haitit, ndërsa Kosovës i është mundësuar të luajë edhe ndeshje zyrtare prej vitit 2016, kur u pranua në UEFA e në FIFA.

Celina është i vetëdijshëm se ai dhe shokët e skuadrës do ta kenë mundësinë të cilën gjeneratat e kaluara nuk e patën, prandaj ai ka objektiva të mëdha me Verdhekaltrit.

“Unë jam mjaft krenar dhe familja ime është po ashtu. Jam mjaft i lumtur që mund të jem pjesë e diçkaje të re dhe diçka ndryshe për vendin. Ne ndiejmë se po e bëjmë këtë për vendin tonë, diçka të rëndësishme që është më e madhe se futbolli”, rrëfen Celina.

“Zemra ime e mori vendimin. Nuk ishte e lehtë, ishte ndjenjë e keqe që nuk po mund të luaja më për Norvegjinë, sepse e kam shijuar atë periudhë sa luajta për këtë vend dhe kjo do të thotë shumë për mua, por në fund e zgjodha vendin tim”, tregon Bersanti.

Me Kosovën synon Evropianin

Celina është pjesë e gjeneratës së artë që po vjen te Përfaqësuesja e Kosovës.

Ky ekip debutoi në mënyrë jo të mirë në eliminatoret e Botërorit, por kjo nuk i ka shuar shpresat dhe ëndrrat e tij e të shokëve që të arrijnë diçka të madhe, pasi populli i përvuajtur e meriton një gjë të tillë.

“Ne duhet të synojmë diçka të madhe, që ta arrijmë një turne (Evropianin). Ne kemi lojtarë të mirë të rinj dhe nëse mendoni për këtë, ne mund të ishim ekip edhe më i mirë nëse lojtarët që i përfaqësojnë vendet tjera do të lejoheshin të na bashkoheshin (Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka. etj). Mirëpo, ne po shkojmë duke u bërë më të fortë me kalimin e kohës dhe kualifikimi në Evropian është i mundshëm”, shprehet Celina.

E kujton golin ndaj Shqipërisë

Celina ka kujtime mjaft të mira që prejse i është bashkuar Përfaqësueses së Kosovës.

Ai nuk e harron golin e parë dhe të vetëm kundër Shqipërisë në nëntor të vitit 2015 kur i tërë stadiumi kishte festuar pasi po luanin ndaj njëri-tjetrit dy ekipe shqiptare, të cilët po e festonin kualifikimin e Shqipërisë në “Evropianin 2016”.

“Ajo ndeshje ishte një festë, tifozët po i mbështesnin të dyja ekipet. Ata (Shqipëria) shënuan të parët dhe të gjithë festuan. Unë e barazova rezultatin dhe e njëjta gjë ndodhi prapë. Një atmosferë e shkëlqyeshme. Është e rrallë kur si lojtar mund të shënosh dhe të dyja palët e tifozëve të festonin. Por, ishin të njëjtit njerëz (popull) që luanin kundër njëri-tjetrit”, kujton Celina atë periudhë.

Si fëmijë, ai me vëllain e tij Behajdinin kalonin orë të tëra duke luajtur futboll me shokët e lagjes.

Bersanti nuk u ndal asnjëherë dhe vendosmëria, talenti e puna që e bëri e sollën në këtë ditë.

Ai flet pak dhe punon shumë. Është lojtar i thjeshtë, modest dhe kokulur.

Krenar që luajti për Manchester Cityn

Celina tregon se ishte i shquar në klubet ku luajti në Norvegji dhe kjo kishte bërë që ta zgjonte interesimin e klubeve të njohura, ndërsa në fund vendosi t’i bashkohej akademisë së Cityt.

Pasi i kaloi pesë vjet në ekipet norvegjeze, i është bashkur Cityt, ku ushtroi, por edhe luajti me lojtarë të mëdhenj si Sergio Aguero, David Silva, Kevin de Bruyne e Yaya Toure.

Ai madje u paraqit edhe në një ndeshje të Premierligës me “Citizens”.

Premton maksimumin te Swansea

Celina ndihet mjaft i lumtur dhe krenar që ishte pjesë e Cityt, ku e shijoi çdo moment.

Tash ai po e nis një aventurë të re te Swansea, ku më parë kishte luajtur edhe shqiptari tjetër Shefki Kuqi.

Me ekipin e ri ai synon të ketë suksese dhe të arrijë në elitën e futbollit anglez, e cila i mungon shumë. /Zëri/