Shkëndija, ambicioze në Europa League

Sport August 16, 2018 - 10:37

Shkëndija e mbylli të martën mbrëma eksperiencën e paharrueshme në Ligën e Kampionëve pas humbjes së dyfishtë nga Red Bull Salzburgu, 0:3 në Austri para një jave dhe 0:1 në Shkup këtë mesjavë, edhe pse tregoi lojë të mirë dhe kishte disa mundësi të mira shënimi.

Pavarësisht eliminimit, trajneri Qatip Osmani e ka përshëndetur paraqitjen e skuadrës, e cila doli me kokën lart nga evenimenti më i rëndësishëm evropian i futbollit, shkruan sot gazeta Zëri.

“Mendoj se diferenca e lojës së parë e bëri të veten. Ne në momente luajtëm mirë dhe krijuam disa raste, megjithëse edhe Red Bull Salzburgu pati mundësitë e veta, megjithatë duhet të jemi të kënaqur me lojën e treguar, pavarësisht eliminimit”, ka thënë trajneri shqiptar pas ndeshjes në konferencë për shtyp.

Osmani: Do t’i kërkojmë shanset tona në Europa League

Eliminimi nga Championsi nuk do të thotë edhe mbyllje e eksperiencës evropiane për Shkëndijën.

Në fakt, Kuqezinjtë do të vazhdojnë të luajnë në Evropë, por në kompeticionin tjetër, Europa League.

Ekipi tetovar do të luajë në “Play-Off” të kësaj gare për herë të parë në histori dhe do ta kërkojë fazën e grupeve, të cilën deri më tash e ka arritur vetëm një klub shqiptar – Skënderbeu nga Korça.

Por për ta arritur një gjë të tillë Shkëndija duhet ta eliminojë gjigantin norvegjez, Rosenborg.

Trajneri Osmani beson se Kuqezinjtë mund të dalin mirë nga kjo përballje.

“Gjithsesi ne do të vazhdojmë në ‘Play-Off’ të Europa Leagues ku do të përballemi me Rosenborgun.

Bëhet fjalë për skuadër kualitative, e cila kohëve të fundit nuk është në nivelin e dikurshëm dhe mendoj se në këtë moment ne mund t’i kërkojmë shanset tona për hyrje në fazën e grupeve”, vazhdoi Osmani.

Shkëndija kishte eksperienca të shkëlqyeshme në Europa League sezonet e fundit, ndërsa titulli i kampionit në Maqedoni në edicionin e fundit ia mundësoi pjesëmarrjen e dytë në histori në Ligën e Kampionëve.

Tetovarët e kaluan rrethin e parë kualifikues pa problem pasi e eliminuan ekipin uellsian, The New Saints.

E në rrethin e dytë Shkëndija ishte më e mirë se ekipi i njohur moldav, Sheriff Tiraspol, për të kaluar në rrethin e tretë, ku u eliminua nga gjysmëfinalisti i vitit të kaluar i Europa Leagues, Red Bull Salzuburg.

Tash Shkëndija do të luajë për herë të parë në fazën e “Play-Off”-it të Ligës së Evropës dhe do ta ketë mundësinë jetësore që ta prekë fazën e grupeve.

Shkëndija është bërë shembull dhe model për klubet shqiptare viteve të fundit, por edhe për ato të rajonit.

Prejse ka rënë në duar të kompanisë “Ecolog”, e cila drejtohet nga biznesmeni i njohur Lazim Destani, që njëherësh është pronar i klubit, Shkëndija ka marrë pamje të klubit evropian. /Zëri/