Prapaskenat e transferit të shekullit

Sport August 16, 2018 - 10:31

Lëvizja e Cristiano Ronaldos drejt Juventusit po konsiderohet si transferimi i shekullit. Ylli portugez e la Real Madridin për t’iu bashkuar “Bianconeri”-t për mbi 100 milionë euro. Së fundmi janë zbuluar edhe prapaskenat e këtij supertransferimi. Gjithçka kishte nisur gjatë pranverës pas duartrokitjes që mori “CR7”-shi kur shënoi në Torino ndaj Juves. Nga ajo kohë në mendjen e Ronaldos ishte vetëm Juventusi

Pak më shumë se një muaj që nga transferimi “i çmendur” kanë dalë në pah prapaskenat e kësaj lëvizjeje, që po konsiderohet si transferimi i shekullit.

Natyrisht kjo shitje/blerje nuk ishte aspak e lehtë të realizohej pasi bëhet fjalë për futbollistin më të mirë në botë, por jo edhe shumë e komplikuar.

Për të zbuluar gjithçka rreth këtij transferimi është përkujdesur e përditshmja italiane “Tuttosport”, përcjellë "Zeri.info".

Fillimisht zyrtarizimi më 10 korrik, më pas prezantimi para tifozëve dhe debutimi në Villar Perosa. Por, prapa krejt këtyre është një punë e skuadrës për ta transformuar të pamundurën në të mundur.

Vendimtare, siç dihet qe një kohë, ishte dëshira e vet Cristiano Ronaldos. Pas 9 vjetësh të kaluar në Real Madrid dhe 4 Championasve të fituar për 5 vjet, portugezi nuk ndiente më stimuj.

Por rol të rëndësishëm në largimin e tij luajti edhe problemi me tatimet në Spanjë, ku ai doli edhe para gjykatës, por edhe mosmarrëveshjes kontraktuese me klubin.

Kështu, qysh në pranverë, menaxheri i tij Jorge Mendes ia ka dhënë shenjat e para Juventusit.

Dhe “lajmi i madh” ka arritur më 3 prill në ditën e ndeshjes çerekfinale të Championsit në mes Juventusit dhe Realit.

“Ideja kishte lindur nga ai gol në stilin gërshërë dhe nga duartrokitjet e brohoritjet që kishte marrë Ronaldo. Mendes ka njoftuar se lojtari ka mbetur i prekur dhe i goditur nga vëmendja që e kishte marrë dhe respekti që i ishte bërë atij. Për këtë muaj ka menduar dhe është përkujdesur vetë lojtari, i cili muaj më parë e kishte marrë premtimin nga presidenti Florentino Perez se mund të largohej nëse e merr një ofertë prej 100 milionë eurove dhe oferta ka arritur. Presidenti, si kavalier që është, nuk i ka hëngër fjalët e tij”, ka thënë drejtori sportiv Fabio Paratici.

Pra, gjithçka ka kryer Ronaldo dhe të dyja klubet, edhe pse kanë raporte të shkëlqyeshme në mes vete, nuk kanë pasur nevojë të bisedonin.

E vetmja telefonatë, siç shpjegon “Tuttosport”, ishte realizuar në mes Beppe Marottas dhe José Angel Sanchezit, numrit dy në Real Madrid.

Me Perezin, praktikisht asnjë kontakt. Padroni i “Los Blancos” ka pasur punë me Ronaldon dhe me Mendesin, të cilët i kanë bërë presion që ta mbante premtimin.

Kur Perez e ka dhënë dritën e gjelbër oferta ishte e gatshme dhe në tavolinë.

Dhe, Ronaldo e mori rrugën drejt Torinos, drejt Juventusit për ta nisur një aventurë të re. Të dielën, kundër Chievos, do të nisë epoka bardhezi për yllin portugez. /Zëri/