Kamp stërvitor për të gjetur klub të ri

Sport August 16, 2018 - 10:28

Një mënyrë e pazakontë për të gjetur klub të ri. Në vende të ndryshme të Evropës po mbahen kampe stërvitore me futbollistë që kanë mbetur pa klube. Disa prej tyre e kanë shfrytëzuar mundësinë e fundit të karrierës dhe përmes këtij kampi kanë fituar kontrata me klube profesioniste. Ata janë mjaft të lumtur që iu dha mundësia t’i shfaqin vlerat e tyre

Futbollistët e njohur e kanë të lehtë të gjejnë klube të reja, por kjo nuk vlen edhe për futbollistët anonimë që këtë verë kishin mbetur pa klube.

Mirëpo, edhe për ta është krijuar së fundmi një mundësi, shkruan sot gazeta Zëri.

Në bashkëpunim me trupën botërore të futbollistëve “Fifpro”, unioni i lojtarëve përreth kontinentit evropian ka mbajtur kampe trajnimi me lojtarët pa kontrata, që të mbeten në formë dhe të transferohen nga klubet.

“Natyrisht, kjo ishte mundësia ime e fundit. Jo shumë futbollistë kthehen nga dy vjet pa bërë asgjë. Unë nuk jam më i ri”.

Kështu thotë qendërmbrojtësi Guy Ramos, 32 vjeç, i cili ishte njëri nga qindra futbollistët përreth Evropës që e shfrytëzoi rastin e fundit për të gjetur klub këtë verë.

Nga 502 futbollistët që morën pjesë në 18 vende, 122 prej tyre kanë gjetur klube të reja, duke përfshirë këtu edhe Ramosin.

Futbollisti nga Kepi i Gjelbër, i cili nuk kishte luajtur qe dy vjet për shkak të një lëndimi të rëndë në gju, mori pjesë në kampin e organizuar në Holandë dhe e fitoi kontratën me klubin nga liga e parë e Marokut, Chabab Rif al Hoceima.

“Kjo ishte mundësia e fundit që ta gjeja një klub profesionist dhe t’i shfaqja vlerat e mia përsëri”, ka shtuar Ramos.

Mundësi e mirë për ta treguar veten

16 futbollistë morën pjesë në kampin holandez dhe Ramos ishte njëri nga tetë lojtarët që siguruan kontrata.

Ai thotë se kjo është mundësi ideale që futbollistët pa klube t’i tregojnë vlerat e tyre.

“Unë nuk kam luajtur qe dy vjet dhe ishte e vështirë për mua të gjeja klub”, shprehet Ramos, i cili i kishte kryqëzuar ligamentet e gjurit dhe i është dashur të bënte intervenim kirurgjik. Ai në të kaluarën ka luajtur për ekipin holandez Roda JC Kerkrade, ndërsa ishte edhe pjesë e Përfaqësueses së Kepit të Gjelbër.

“Kjo ishte një mundësi e mirë për ta prezantuar veten dhe për t’u treguar të gjithëve që jam kthyer”, nënvizoi Ramos, i cili ka ushtruar çdo ditë dhe i zhvilloi pesë ndeshje.

Image

“Për dy vjet nuk kam luajtur dhe kjo ishte një periudhë e vështirë. Kështu që, të jem pjesë e një ekipi në fushë përsëri është një eksperiencë shpresëdhënëse”, i cili përkohësisht në këtë kamp trajnimi ishte kapiten i ekipit VVCS-së.

Futbollistët nuk u paguan në këtë periudhë trajnimi, por morën ushqim e veshmbathje dhe udhëtuan çdo ditë në qendrën e ushtrimeve në Holandë.

“Synim është t’u gjejmë atyre një klub të ri. Të gjithë janë në një situatë të njëjtë. Duam t’i kthejmë në formë dhe të zhvillojmë ndeshje, kështu që kur t’u bashkohen klubeve të reja të jenë të gatshëm. Kjo është një formë faze përgatitore verore”, thotë menaxheri edukativ i VVCS-së, Arjan Ebbinge.

“Ata duan të luajnë në klube në ligën e parë ose në të dytën holandeze, ose në nivelet më të larta në vendet tjera. Kjo është mundësia e fundit e tyre për të gjetur klube të mëdha, në të kundërtën do të përfundojnë në divizione të ulëta. Dhe shansi për të bërë lëvizje të mëdha nëse përfundojnë në divizione të ulëta nuk është i madh”, përfundoi Ebbinge. /Zëri/