Atletico ma super se Reali!

Sport August 15, 2018 - 23:32

Atletico Madridi është fitues i Superkupës së Evropës, e cila u mbajt në Tallinn të Estonisë, shkruan Zeri.info.

“Los Colchoneros” e kanë mposhtur rivalin lokal, Real Madrid, në ndeshjen spektakolare që u zhvillua sonte.

Atleticos iu deshën vazhdimet për ta mposhtur kampionin evropian me rezultat 4:2 pasi loja e rregullt përfundoi baras, 2:2.

Diego Costa ka qenë hero i ekipit të Diego Simeones pasi realizoi dy gola.

Fillimisht, ai shënoi në minutën e parë, ndërsa golin e dytë e realizoi në minutën e 79-të.

Nga ana tjetër, Karim Benzema e kishte barazuar rezultatin në minutën e 27-të, kurse Sergio Ramos kishte shënuar nga penalltia në minutën e 63-të.

Në vazhdime, golin e tretë për Atleticon e shënoi Saul Niguez në minutën e 99-të, kurse golin e qetësisë e shënoi Koke në atë të 104-t.

Costa me shokë e fituan kështu trofeun e parë sezonal dhe treguan se në edicionin e ri do të synojnë lart.

Ata janë fitues aktualë të Europa Leagues.

Nga ana tjetër, tek Reali ka nisur qysh tash të ndihet mungesa e Zinedine Zidanet dhe Cristiano Ronaldos. /Zëri/