Eto’o sfidon 'plakjen', befason me klubin e ri!

Sport August 15, 2018 - 13:15

Samuel Eto’o nuk e ka ndërmend të ndalet. Sulmuesi i njohur afrikan i ka dhënë fund eksperiencës në Turqi, ndërsa tash do të fillojë diçka të re në Katar. Kamerunasi ndihet ende në formë dhe konsideron se ka çka i jep ende futbollit. Eto’o konsiderohet si njëri prej sulmuesve më të mirë në 15 vjetët e fundit dhe me klubet e tij ka fituar shumë trofe

Samuel Eto’o nuk di çka është fundi. Sulmuesi kamerunas vazhdon të luajë futboll pavarësisht moshës së shtyrë, shkruan sot gazeta Zëri.

Pasi e mbylli eksperiencën në Turqi, disa muaj para përfundimit të sezonit me Konyasporin, futbollisti afrikan do të nisë gjithçka nga Katari.

37-vjeçari tashmë e ka nisur eksperiencën e re dhe ka nënshkruar kontratë me klubin Qatar Sports Club, skuadër që luan në elitën e futbollit të Katarit dhe është gjashtë herë kampione nacionale.

Lajmin e ka bërë të ditur klubi nga Emiratet përmes rrjetit social “Twitter”, duke zbuluar se ish-lojtari i Interit dhe i Barcelonës do të prezantohej zyrtarisht mbrëmë.

Në Katar gjen shokët e vjetër

Në kampionatin e Katarit, Eto’o do t’i gjejë ish-futbollistin e Barcelonës Xavi Hernandez, që momentalisht luan në Al Sadd dhe ish-futbollistin e Interit, Wesley Sneijder, i cili është pjesë e Al-Gharafas. Me të dy kishte luajtur së bashku te gjiganti katalunas dhe te “Nerazzurri”.

Javën e kaluar sulmuesi kishte bërë të ditur se kishte interesim nga disa skuadra nga Ligue 1 franceze, por në fund më të shkathtë u treguan katariotët.

Kampionati i Emirateve ka filluar më 4 gusht dhe pas dy xhirosh Qatar Sports Club gjendet në vendin e pestë me tri pikë të grumbulluara.

Nuhatje për gol

Para se të zbarkonte te Qatar Sports Club, Eto’o i kishte kaluar gjashtë muajt e fundit në Konyaspor, në Superligën turke, ku kishte realizuar 6 gola në 12 ndeshjet e fundit. Në dy vjet e gjysmë më parë, në Antalyaspor, ai kishte shënuar plot 44 gola në 76 ndeshje, duke demonstruar se nuk e ka humbur kurrë “gjenin” e tij për të shënuar gola.

Top-lojtar

I konsideruar si futbollisti më i mirë afrikan i të gjitha kohëve, karriera e Eto’o lidhet me tri herë si fitues i Ligës së Kampionëve, dy herë me fanellën e Barcelonës (2006 e 2009) dhe një herë me Interin (2010), ndërsa e ka fituar edhe Kupën Interkontinentale në vitin 1998 sa ishte pjesë e Real Madridit përkohësisht, ndërsa e ka fituar edhe Botërorin e Klubeve në vitin 2010.

Tituj nacionalë

Në nivelin nacional, kamerunasi e ka fituar dy herë trofeun e Copa del Rey (2003 e 2009), tri herë kampionatin spanjoll (2005, 2006 e 2009), dy herë Superkupën e Spanjës (2005 e 2006), një kampionat italian (2010), dy herë Kupën e Italisë (2010 e 2011) dhe një herë Superkupën e Italisë (2010).

Me Kamerunin

Me Kombëtaren e Kamerunit ai e mban primatin e golave të shënuara (56), ndërsa e ka fituar në dy edicione Kupën e Afrikës (2000 e 2002). Gjithashtu është zgjedhur golashënuesi më i mirë në histori të këtij evenimenti me 18 gola të shënuara. /Zëri/