Njeriu i huazimeve

Sport August 15, 2018 - 13:14

Martin Odegaard pritet të largohet prapë nga Real Madridi. 19-vjeçari do të huazohet prapë pasi nuk ka vend në ekipin e parë të “Los Blancos”. Norvegjezi nuk u ftua me pjesën tjetër të ekipit për ndeshjen e Superkupës së Evropës dhe kjo ishte një shenjë tjetër që ai nuk ka vend në ekipin e trajnerit Lopetegui. 19-vjeçari është bërë njeriu i huazimeve

Martin Odegaard do të huazohet përsëri. Ylli i ri norvegjez nuk u ftua për ndeshjen e Superkupës së Evropës ndaj Atletico Madridit.

19-vjeçari ishte i vetmi lojtar që u la në shtëpi para ndeshjes së sontme, e cila do të zhvillohet në Tallinn, shkruan sot gazeta Zëri.

Trajneri Julen Lopetegui i ftoi 29 futbollistë për të udhëtuar drejt Estonisë dhe mungesa e Odegaardit duket se është një shenjë që kampionët e Evropës nuk llogarisin në të për sezonin e ardhshëm.

Madje, edhe më e çuditshme bëhet mungesa e norvegjezit duke e konsideruar faktin se trajneri Lopetegui i ftoi pesë portierë, por edhe të lënduarit Jesus Vallejo e Alvaro Odriozola në udhëtimin e kontingjentit madrilen.

Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, shenjat për një huazim tjetër për futbollistin e ri tashmë janë të qarta dhe sinjal i qartë se përse nuk udhëtoi ai me ekipin tjetër të ekipit.

Odegaard luajti për përfaqësuesen e Norvegjisë para se t’i mbushte 16 vjet dhe u transferua në Real Madrid për afro 5 milionë euro në janar të vitit 2015.

Pas arritjes së tij në “Santiago Bernabeu” ai fillimisht luajti nën drejtimin e Zinedine Zidanet, i cili e drejtonte skuadrën e dytë të Realit, ndërsa e ka zhvilluar vetëm një ndeshje në La Liga.

Odegaard i kaloi 18 muaj huazimi në ekipin holandez Heerenven, derisa u kthye në Real në fillim të kësaj vere. Lëvizja i bëri mirë atij pasi zhvilloi 43 ndeshje dhe realizoi katër gola në kampionatin holandez.

S’e deshi Ancelotti

Mirëpo ai ka dështuar të luajë rregullisht në ekipin e parë të Realit që prej transferimit nga Stromsgodset në vitin 2015 dhe transferimi nuk ishte vlerësuar sa duhet nga ish-trajneri i madrilenëve Carlo Ancelotti, i cili kishte thënë se prapa këtij transferi ishte presidenti i klubit Florentino Perez.

“Kur Florentino e blen një futbollist norvegjez, ju thjesht duhet ta pranoni këtë. Ndër të tjera, presidenti vendosi që ai të luajë tri lojë në ekipin e parë si ushtrim i marrëdhënieve me publikun. Ai mund të jetë lojtari më i mirë në botë, por mua nuk më intereson sepse ai nuk ishte lojtari që e kisha kërkuar unë. Ai transferim kishte të bënte me marrëdhëniet me publikun”, kishte shtuar trajneri italian.

Menaxheri i futbollistit Bjorn Tore Kvarme ka thënë në një intervistë muajin e kaluar se kur të mbyllet faza përgatitore do të zgjidhet edhe e ardhmja e klientit të tij.

Flitet se Odegaard mund të transferohet në Angli, ku e pëlqejnë dy klubet e Championshipit, Aston Villa e Derby County. /Zëri/