FFK thotë se do të marrë mësim nga dështimet

Sport August 15, 2018 - 12:05

Federata e Futbollit e Kosovës me gjysmëgojë i pranon lëshimet e bëra në procesin e organizimit të ndeshjes së Superkupës Drita – Prishtina, e zhvilluar të hënën mbrëma në kryeqytet. “Zhdukja” e hershme dhe e çuditshme e biletave nga pikat e shitjes, pritjet e gjata dhe të mundimshme në hyrje të stadiumit e mbi të gjitha dështimi i madh për ta parandaluar futjen e mjeteve piroteknike në stadiumin e posamodernizuar me 9 milionë euro të popullit, FFK-ja thotë se do t’i marrë si mësime për të mos u përsëritur të njëjtat ngjarje në të ardhmen, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Zhdukja e biletave në mënyrë misterioze nga pikat e shitjes, pritjet e gjata dhe të mundimshme të shikuesve në disa hyrje, futja e mjeteve piroteknike në stadium nga ana e tifozëve e moskontrollimi i mirë i tyre dhe dështimi për t’i ndaluar tifozët që të gjuanin flakadanë në fushë janë vetëm disa nga faktet që e pasqyrojnë organizimin e ndeshjes së Superkupës të së hënës në mes të Dritës dhe Prishtinës (2:1).

Me këtë ndeshje u hap edhe stadiumi i rinovuar dhe i modernizuar “Fadil Vokrri” në kryeqytet, i cili buxhetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 9 milionë euro dhe ka zgjatur mbi 2 vjet, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Image

Ndërsa, si pasojë e organizimit joadekuat stadiumi rrezikoi të pësojë dëmtime qysh në ndeshjen e parë të zhvilluar në të. Këtë takim e ka organizuar Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), e cila shpeshherë i dënon klubet për lëshime në organizim të ndeshjeve kampionale, për çka nganjëherë u mban edhe “ligjërata” se si duhet organizuar një lojë e futbollit.

Për krejt këto lëshime FFK-ja nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme në raportin e publikuar në uebfaqen zyrtare, ku i ka komentuar vetëm anët e mira.

“Në një koreografi të përgatitur në mënyrë jashtëzakonisht madhështore nga ana e FFK-së kushtuar legjendës së futbollit dhe ish-presidentit Fadil Vokrri, që sot mban emrin e tij stadiumi në të cilin krijoi emër e nam, u zhvillua ndeshja e Superkupës së Kosovës Drita - Prishtina. Edhe gjyqtarët tanë ndërkombëtarë, Nuza, Berisha e Selimaj, kishin veshur fanellat me portretin e Fadil Vokrrit me mbishkrimin ‘Faleminderit president’. E adhuruesit pas një minute heshtjeje gjatë tërë kohës brohorisnin emrin Vokrri dhe oshtima e kësaj brohoritjeje sikur jehoi në mbarë Kosovën dhe më gjerë”, thuhet pos tjerash në uebfaqen e FFK-së ku nuk thuhet asnjë fjalë për lëshimet.

Mirëpo pas insistimit të “Zërit”, drejtues të FFK-së kanë pranuar se kanë bërë lëshime në organizim. “Fatmirësisht këto lëshime, siç po u thoni ju, kanë ndodhur në një ndeshje testuese. Kjo na ka mundësuar që të marrim mësim për ndeshjet e mëdha ndërkombëtare që na presin. Ne jemi të sigurt se këto nuk do të ndodhin në ndeshjen testuese nuk do të përsëriten në ndeshjet zyrtare. Andaj, fatmirësisht ndeshja ka qenë testuese”, thotë shtëpia e futbollit për “Zërin”, e cila i ka komentuar edhe lëshimet një nga një.

“Sa u përket biletave, deri pak para lojës janë shitur rreth 10 mijë bileta, me çka nënkuptohet se edhe mbi 2 mijë bileta kanë qenë ende në treg. Ne nuk kemi informacion se dikush ka shitur bileta me çmim më të lartë sesa çmimi zyrtar pranë stadiumit. Ne nuk kemi polici për të ndjekur ose për të hetuar veprime të tilla”, thekson FFK-ja.

“Sa u përket pritjeve të gjata në disa hyrje, neve na vjen keq, të bindur se në ndeshjet e ardhshme procesi i hyrjes do të ecë shumë më shpejt”, shton FFK-ja.

FFK-ja është ndalur edhe te incidenti i shkaktuar nga “Intelektualët” e Dritës, të cilët kanë hedhur mjete të shumta piroteknike në fushë, por edhe në tribunën e tyre, ndonëse para lojës FFK-ja kishte paralajmëruar se nuk do ta lejojë futjen e mjeteve piroteknike në fushë, duke kujtuar se në stadium ka edhe kamera të sigurisë dhe mund të identifikohen shkelësit e rregullit. “Mund t’ju konfirmojmë se përmes sistemit të kamerave të sigurisë mund të lokalizohen ose mund të identifikohen personat që kanë ndezur mjete piroteknike në stadium, por ne nuk kemi mundësi sepse këto janë punë të institucioneve tjera”, tha FFK-ja.

FFK-ja ka paralajmëruar dënime për Dritën shkaku i sjelljeve të tifozëve të saj. /Zëri/