Reperi pranon fajësinë dhe pendohet që gjuajti me armë pas ndeshjes Prishtina - Drita

Sport August 14, 2018 - 16:31
Lexoni më shumë detaje

Reperi Arian Sijarina e ka pranuar se ka shtënë me armë zjarri pas përfundimi të ndeshjes së xhiros së fundit të kampionatit të kaluar të Kosovës në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Dritës e cila qe zhvilluar në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë.

Sijarina doli sot para gjyqit në Gjykatën Themelore të Pejës ku edhe e pranoi veprën për të cilën ngarkohet duke u penduar për veprimin e tij.

“E ndjej veten fajtor, jam penduar dhe shpreh keqardhje. Premtoj që në të ardhmen asnjëherë s’do të përsëris veprimet e tilla. Kjo është hera e parë që më ka ndodhë”, tha i akuzuari Sijarina.

Image

Pranimi i fajësisë erdhi pasi prokurorja Suada Hamza, bëri ricilësimin e veprës penale në shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Aktgjykimi për këtë rast është caktuar të shpallet të marten.

Atë ditë, sipas aktakuzës, i pandehuri ishte pasagjer në veturë, së bashku me Albert Kastratin dhe Dardan Dodën, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes, në dalje të Pejës, pranë pompës së derivateve “Hib Petrol” kishte nxjerrë gjysmën e trupit jashtë dhe me revole kishte shtënë në drejtim të veturës së tifozëve nga Gjilani e cila po lëvizte para tyre.

Te akuzuar në ketë proces gjyqësor ishin edhe Albert Kastrati dhe Dardan Doda, mirëpo gjatë shqyrtimit të dytë të aktakuzës, prokurorja e shtetit Suada Hamza, u tërhoq nga ndjekja penale me arsyetimin e nuk ka prova të mjaftueshme.

Albert Kastrati dhe Dardan Doda, akuzoheshin se në bashkëkryerje i kanë dhënë ndihmë kryerësit pas kryerjes së veprës penale. /Kallxo.com/