Misioni i përmbysjes për Shkëndijën

Sport August 14, 2018 - 12:48

Shkëndija do ta provojë sonte përmbysjen e madhe ndaj Salzburgut në ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kuqezinjtë do ta nisin ndeshjen me disavantazh prej tre golash, por ata do ta tentojnë mrekullinë në Shkup. Trajneri Qatip Osmani i motivon lojtarët dhe i inkurajon ata të provojnë

Shkëndija do ta ketë sonte një mision të vështirë, por jo edhe krejtësisht të pamundur, shkruan sot gazeta Zëri.

Kuqezinjtë do ta provojnë përmbysjen e madhe ndaj Red Bull Salzburgut në ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Skuadra tetovare e ka humbur ndeshjen parë në Austri javën e kaluar me rezultat 0:3 dhe nuk i kanë mbetur mundësi të mëdha për të shkuar në “Play-Off” të këtij kompeticioni.

Mirëpo, kjo nuk nënkupton që kampioni i Maqedonisë dhe krenaria e shqiptarëve të mos e provojë misionin e rikthimit sensacional të rezultatit.

Osmani: Kemi të drejtë të shpresojmë

Trajneri Qatip Osmani ka mbajtur të hënën konferencë për shtyp, përmes së cilës i ka inkurajuar lojtarët e tij që ta japin atomin e fundit në tentim të përmbysjes së rezultatit, edhe pse është i vetëdijshëm se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Edhe pse kemi rezultat negativ nga ndeshja e parë dhe pavarësisht diferencës së thellë, ne në Shkup kemi të drejtë të shpresojmë. Megjithatë, ne duhet të përgatitemi për një paraqitje sa më të mirë. Në futboll ndodhin befasitë, kështu që Shkëndija të martën do të jetë maksimalisht e mobilizuar dhe e angazhuar për ta treguar lojën më të mirë të mundshme”, ka thënë fillimisht Osmani.

“Mund të kemi ndryshime të vogla në formacion, problemi i vetëm është lëndimi që pësoi Murati në takimin me Vardarin. Gjithsesi në këtë moment e gjithë vëmendja jonë është në sfidën me Red Bull Salzburgun, ndërsa pas takimit do të shikojmë se në çfarë drejtimi do të duhet të mendojmë për të ardhmen”, vazhdoi trajneri shqiptar.

Musliu: Të tregojmë karakter kampioni

Visar Musliu thotë se Shkëndija duhet të tregojë karakter kampioni edhe nëse nuk arrin ta përmbysë kapitalin e ekipit austriak nga ndeshja e parë.

Mbrojtësi shqiptar beson se Kuqezinjtë mund të bëjnë lojë të mirë ndaj Salzburgut sonte.

“Neve në ndeshjen e parë na mungoi pak eksperienca nga ndeshjet e nivelit të këtillë evropian, duke bërë gabime që na kushtuan me pranim të golave. E kemi analizuar mirë ndeshjen e parë dhe besoj se jemi të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e kthimit. Do të kërkojmë të tregojmë në radhë të parë karakter kampioni dhe pastaj do të shohim se cili do të jetë rezultati final”, shprehet mbrojtësi kuqezi.

Ekspedita e Shkëndijës tashmë është vendosur në Shkup, ndërsa mbrëmë në stadiumin “Filipi i Dytë” e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para përballjes së sontme me Red Bull Salzburgun. Ndërkaq, kontingjenti i ekipit austriak po ashtu ka zbarkuar në Maqedoni dhe mbrëmë ka ushtruar në stadiumin kryesor të Shkupit.

Edhe nëse eliminohet nga Championsi, megjithatë Shkëndija do ta vazhdojë eksperiencën evropiane pasi do të luajë në “Play-Off” të Europa Leagues. /Zëri/