33 kupat e Messit!

Sport August 14, 2018 - 12:46

Lionel Messi e ka thyer rekordin e trofeve të fituar me Barcelonën. Fitorja 2:1 ndaj Sevillës në Superkupën e Spanjës ia mundësoi yllit argjentinas ta shijojë trofeun e 33-të në karrierë, duke e kaluar kështu Andres Iniestan. Trajneri Ernesto Valverde ka thënë se epiteti i rekordmenit i ka hije pesë herë fituesit të “Topit të Artë”

Lionel Messi është bërë lojtari më i trofeshëm në histori të Barcelonës të dielën pasi e fitoi trofeun e 33-të me klubin katalunas derisa kampioni spanjoll e mposhti Sevillën me përmbysje me rezultat 2:1 në ndeshjen e vlefshme për Superkupën e Spanjës, shkruan sot gazeta Zëri.

Marc-Andre ter Stegen e priti penalltinë në minutën e 90-të derisa golat paraprakë të Gerard Piques e Ousmane Dembeles e shkrinë epërsinë e ekipit andaluzian, të cilën e kishte krijuar falë golit të shënuar në minutën e nëntë nga sulmuesi Pablo Sarabia, për ta pasuruar vitrinën me një tjetër trofe, të parin për sezonin 2018/19.

E kaloi Iniestan

Messi, i cili u emërua kapiten i ri i Barcelonës në fillim të kësaj jave, e mori primatin sa u përket trofeve të fituar. Ai e kaloi Andres Iniestan, me të cilin së bashku kishin fituar nga 32 trofe, ndërsa legjenda spanjolle u largua nga Camp Nou gjatë kësaj vere për t’iu bashkuar klubit japonez Vissel Kobe.

E lavdëron trajneri

Arritjen e Messit e ka përshëndetur trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, i cili e nisi sezonin e ri me trofe të fituar. Sipas tij, yllit argjentinas i ka hije të jetë rekordmen.

“Nuk e di se si ndihet Messi momentalisht. Nëse dikush shkon për ta arritur atë shifër, aq shumë trofe me një klub, është ai”, ka thënë pas ndeshjes trajneri Valverde.

“Është e pabesueshme. Atij i përshtatet ky rekord me klubin. Shpresojmë që ai nuk do ta mbyllë me kaq dhe do të vazhdojë të fitojë trofe të tjerë”, përfundoi trajneri i Barcelonës.

Katër Championsa

Ylli argjentinas e kishte fituar trofeun e parë, respektivisht titullin e kampionit të La Ligas në sezonin 2004/05, kur ishte ende adoleshent. Ai e fitoi titullin e kampionit spanjoll më pas edhe tetë herë, ndërsa e ndihmoi gjigantin katalunas që ta fitonte katër herë edhe Ligën e Kampionëve, në vitet 2006, 2009, 2011 e 2015.

Gjithashtu “Pleshti” e ka fituar gjashtë herë Kupën e Spanjës, shtatë herë Superkupën e Spanjës, tri herë Superkupën e Evropës dhe tri herë Botërorin e Klubeve.

Viti 2009, më i suksesshmi

Viti më i suksesshëm i Messit me Barcelonën ishte ai 2009-s kur klubi i fitoi të gjithë trofetë e mundshëm brenda një viti kalendarik, gjashtë sosh, diçka që nuk e ka bërë kurrë një klub në histori të futbollit.

Pas Messit e Iniestas, Pique e Busquets

Pas Messit e Iniestas vijnë Gerard Pique e Sergio Busquets, të cilët kishin kaluar më vonë në ekipin e parë. Ata i kanë fituar nga 28 trofe me Barcelonën pas triumfit ndaj Sevillas. Xavi Hernandez, rekordmeni i dikurshëm i klubit spanjoll, i ka fituar 25 trofe para se të largohej drejt Katarit në vitin 2015. /Zëri/