Taulant Shaqiri, talenti shqiptar që po shkëlqen në Zvicër

Sport August 13, 2018 - 19:27

Taulant Shaqiri është talenti i radhës që po shkëlqen në Zvicër, shkruan Zeri.info.

19 vjeçari po mundohet ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme rastin që do t’i jepet këtë sezon në ekipin Emmenbrücke, i cili u ngrit në Swiss 2. Liga (liga e pestë zvicerane).

Zviceranët po e konsiderojnë atë si një talent të madh dhe një të ardhme të futbollit zviceran.

Madje, besojnë se ai do t’i ndjekë hapat e një tjetër Shaqirit, Xherdanit, 26 vjeçarit i cili së fundmi u transferua tek Liverpooli nga Stoke City.

Lojtarin e ka lavdëruar edhe presidenti i Emmenbrücket, Franco Gulli.

“Ai do ta shfrytëzojë rastin e tij. Ai është lojtar ambicioz dhe futbolli është jeta e tij. Madje, qysh sezonin e kaluar, 19 vjeçari ishte kapiten dhe lojtari lider i juniorëve të akademisë së klubit tonë”, ka thënë kreu i klubit zviceran.

Shaqiri, i cili është fans i madh i yllit portugez, Cristiano Ronaldo, pret një sezon pozitiv.

“Fakti që më është dhënë rasti të luaj në ekipin e parë më bën shumë krenar”, ka thënë mesfushori kosovar për “tagblatt.ch”.

Dhe, cila do të jetë sfida e tij?

“Kalimi nga ekipi junior në atë të parë. Kjo është sfida më e madhe”, ka shtuar ai.

Kalimi në ekipin e parë është bërë i mundur nga presidenti Franco Gulli, trajneri Jean-Daniel Gross dhe trajneri i juniorëve, Valon Kameraj.

“Ata besuan në mua, më mbështetën dhe e shfaqën besimin. U jam mjaft mirënjohës”, vazhdoi Shaqiri.

Futbollisti shpreson që në të ardhmen të luajë në klube edhe më të mëdha, ndërsa për momentin synon të bëjë përvojë në ekipin aktual.

“Këtu e shoh të ardhmen, këtu ndihem mirë”, shprehet Shaqiri.

Madje, ai aktualisht është mjaft i lidhur me klubin zviceran, sa që tregon se kur ishte 11 vjeç ka mundur të shkonte në Luzern, por që kishte preferuar të qëndronte tek FC Emmenbrücke.

Shaqiri kishte filluar të luante që kur ishte fëmijë, në lagje dhe në shkollë.

Ai e dashuron këtë sport. “Futbolli është jeta ime”, ka përfunduar Taulant Shaqiri. /Zëri/