Shkëndija shpreson në përmbysje të rezultatit ndaj Salzburgut (VIDEO)

Sport August 13, 2018 - 15:01

Shkëndija të martën në orën 20:15 në Shkup pret Red Bull Salzburgun në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë eliminator të UEFA Champions League, ndërsa për pritjet e kuqezinjve para mediave kanë folur trajneri Qatip Osmani dhe mbrojtësi Visar Musliu.

“Edhe pse kemi rezultat negativ nga ndeshja e parë dhe përkundër diferencës së thellë neve në Shkup kemi të drejtë të shpresojmë. Megjithatë ne duhet të përgatitemi për një paraqitje sa më të mirë. Në futboll ndodhin befasitë, kështu që Shkëndija nesër do të jetë maksimalisht e mobilizuar dhe e angazhuar për të treguar lojën më të mirë të mundshme. Mund të kemi ndryshime të vogla në formacion, problemi i vetëm është lëndimi që pësoi Murati në takimin me Vardarin. Gjithsesi në këtë moment gjithë vëmendja jonë është për sfidën me Red Bull Salzburgun, ndërsa pas takimit do të shikojmë se në çfarë drejtimi do të duhet të mendojmë për të ardhmen”, deklaroi para mediave shefi i stafit teknik i KF Shkëndija, Qatip Osmani.

Image

“Neve në ndeshjen e parë na mungoi pak eksperienca nga ndeshje të nivelit të këtillë evropian, duke bërë gabime që na kushtuan me pranim të golave. Kemi analizuar mirë ndeshjen e parë dhe besoj se jemi të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e kthimit. Do të kërkojmë të tregojmë në radhë të parë karakter kampioni dhe pastaj do të shohim se cili do të jetë rezultati final”, shprehet mbrojtësi kuqezi, Visar Musliu.

Image

Ekspedita e Shkëndijës tashmë është vendosur në Shkup, ndërsa sonte në orën 20:00 në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në program është seanca e fundit stërvitore para përballjes të së martës me Red Bull Salzburgun.

Ekipi austriak do të ushtrojë në stadiumin kryesor të Shkupit nga ora 19:00, ndërsa paraprakisht në orën 18:30 kanë paraparë konferencë me media.