Skënderbeu 'tregon dhëmbët' çon Superkupën në Korçë

Sport August 12, 2018 - 22:03
Lexo detajet

E mbylli me trofe karrierën e lavdishme si futbollist dhe në të njëjtën mënyrë filloi eksperiencën e re si trajner. Bëhet fjalë për Orges Shehin, i cili orientoi Skënderbeun drejt triumfit në Superkupën e Shqipërisë, përballë Laçit, falë fitores me rezultatin 3-1.

Pas një pjese të parë të përfunduar në barazim pa gola dhe ku u regjistruan shumë pak tentativa në portat respektive, 45-minutëshi i dytë nisi me një tjetër ritëm.

Fillimisht ishin laçjanët e Mergjyshit që kaluan në avantazh, në minutën e 49’, falë golit të Lushkjas, i cili përfitoi nga një hutim i mbrojtjes korçare.

Gjithsesi reagimi i Skënderbeut erdhi menjëherë dhe në minutën e 55-të ishte mbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti, që shënoi në portën e Selmanit dhe riktheu baraspeshën.

Goli i avantazhit për korçarët erdhi në minutën e 68′, kur Gjergji Muzaka ekzekutoi saktë një 11-metërsh të akorduar nga arbitri Juxhin Xhaja, pas një faulli të Sefgjinajt në dëm të Bregut. Vetëm katër minuta më pas, vjen radha e vlonjatit që të shënojë golin e tretë për Skënderbeun, pas një topi të marrë në zonë.

Laçi rihapi takimin edhe njëherë në minutën e 84-t, pas golit të shënuar nga talenti premtues Redon Xhixha, por vetëm kaq, pasi skuadra e Mergjyshit nuk arriti t’i prishë festën e triumfit korçarëve.

Sfida e luajtur në “Selman Stërmasi” i hap udhën sezonit të ri të Kategorisë Superiore, që do të startojë të premten në stadiumin “Skënderbeu”, me sfidën mes korçarëve dhe Partizanit, ndërsa këtë vit dhe deri në verën e 2022-shit, Kategoria Superiore do të jetë një ekskluzivitet i Supersport.