Feronikeli fiton turneun përkujtimor “Rexhep Rexhepi”

Sport August 12, 2018 - 19:50

Është zhvilluar turneu përkujtimor “Rexhep Rexhepi 2018”, për nder të ish-futbollistit të Feronikelit, Rexhep Rexhepi, emrin e të cilit e mban me krenari edhe stadiumi i Drenasit.

Fitues i turneut për këtë vit është KF. Feronikeli, njofton faqja zyrtare e klubit.

Në turne morën pjesë katër ekipe: ekipi i parë i KF Feronikelit, ekipi i dytë i KF Feronikelit, KF Drenasi dhe KF Dukagjini.

Secila lojë zgjati nga 45 minuta dhe të njëjtat u zhvilluan me sistem eliminimi.

Sipas ndarjes së shortit gjysënfinal, ekipi i dytë i Feronikelit luajti kundër KF Drenasit, me ç’rast ekipi i dytë i Feronikelit fitoi me rezultat 2:0.

Loja e dytë gjysëmfinale u zhvillua ndërmjet ekipit të parë të Feronikelit dhe KF Dukagjinit, ku fitoi ky i fundit pas zhvillimit të penaltive.

Në finale u ndeshën ekipi i dytë i KF Feronikelit dhe KF Dukagjini, me ç’rast fitues u shpall ekipi i dytë i Feronikelit, pas fitores me rezultat 2:0.

Golat e fitores i shënuan Prince Balde në minutën e 36’ dhe A. Magani në minutën e 45’.