Test, test...

Sport August 11, 2018 - 12:38

Mbrëmja e së hënës pritet të sjellë atraksion në kryeqendrën e Kosovës, në të cilën do të zhvillohet një ndeshje interesante e futbollit, madje nën ndriçimin e reflektorëve. Kështu Prishtina do t’i ngjajë një qendre evropiane. Në stadiumin e modernizuar të kryeqytetit do të zhvillohet përballja për Superkupën shtetërore ndërmjet Dritës dhe Prishtinës. Këtë takim e organizon Federata e Futbollit e Kosovës në përshtatje të standardeve të UEFA-s dhe të FIFA-s. Kjo bëhet me qëllim të testimit të stadiumit të rinovuar “Fadil Vokrri”, të cilit pastaj pritet t’i jepet licenca e kategorisë së katërt nga UEFA, gjë që është në interes të madh nacional, shkruan "Gazeta Zeri".

Ndeshja e së hënës për Superkupën e Kosovës ndërmjet Dritës dhe Prishtinës do të organizohet sikurse një ndeshje e garave zyrtare të UEFA-s dhe të FIFA-s. Kjo për shkak se përmes këtij takimi edhe do të testohet stadiumi i rinovuar “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pas të cilit test UEFA do të marrë vendim për t’i dhënë ose jo licencë të kategorisë së katërt.

Kjo i ka nxjerrë punë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila këto ditë po punon intensivisht për organizim sa më të mirë të këtij takimi. Krerët e shtëpisë së futbollit kosovar kanë konfirmuar se tashmë i kanë kryer gati të gjitha punët rreth organizimit sa më të mirë të këtij takimi, i cili po tërheq interesim të madh për dy arsye: Për shkak se përballen dy skuadrat e forta, kampionia me nënkampionen dhe fituesen e Kupës që u eliminuan nga garat evropiane, por edhe për shkak se me këtë ndeshje hapet stadiumi legjendar i Kosovës, i cili tani ka marrë pamje evropiane.

Pas rinovimit kapaciteti i stadiumit ka rënë në afro 13 mijë ulëse. Për testim të stadiumit domosdoshmërish duhet të jenë së paku 3 mijë shikues. Por fakti që për Superkupë do të luajnë dy skuadrat më të forta të sezonit të kaluar me dy tifozeri të mëdha stadiumi pritet të mbushet përplot për shkak se ka zgjuar interesim në opinion për ta parë punën e bërë. Takimi do të zhvillohet nën ndriçimin e reflektorëve në mbrëmjen e së hënës, një arsye më shumë për ta shtuar interesimin në Kosovë. Rinovimi i stadiumit ka kushtuar rreth 9 milionë euro dhe procesi ka zgjatur rreth dy vjet e gjysmë. FFK-ja ka bërë të ditur se në stadiumin “Fadil Vokrri” janë të instaluara edhe kamerat e sigurisë për çka ka bërë thirrje te tifozët të mos marrin me vete mjete piroteknike sepse ato nuk do të lejohen të futen në objekt. “I ftoj gjithë shikuesit që në vend të mjeteve piroteknike t’i përdorin dritat e celularëve dhe bashkërisht ta krijojnë një koreografi në stadium në mbrëmjen e së hënës dhe dritat e telefonave të simbolizojnë dritë qirinjsh për legjendën e ndjerë Fadil Vokrrin, emrin e të cilit e ka marrë stadiumi”, tha kryetari Agim Ademi, i cili shpreson që sa më shpejt Kosova të bëhet edhe me stadiume tjera të modernizuara, duke filluar prej “Adem Jasharit” të Mitrovicës dhe atij nacional që planifikohet të ndërtohet nga themeli në Drenas.

Ademi dhe sekretari Eroll Salihu treguan se gjithë organizimi do të bëhet në përshtatje të agjendës së kritereve ndërkombëtare, ndërsa ekipeve do t’u mundësohet edhe nga një stërvitje e lehtë në stadium. Do të shmangen tollovitë në hyrjet e shikuesve, ndërsa masat e sigurisë do të jenë adekuate, edhe pse kjo ndeshje për trofe dhe për testim të stadiumit do t’i vërë përballë dy tifozeri me rivalitet të madh tradicional, “Plisat” e Prishtinës dhe “Intelektualët” e Dritës, të cilat do të vendosen prapa portave, kurse tribuna lindore dhe ajo perëndimore do të jetë në dispozicion të shikuesve të rëndomtë. Çmimet e biletave do të kushtojnë nga 2, 3, 5, 10 euro, si dhe nga 50 euro për tribunën VIP.

“Ne jemi të sigurt se Policia do të jetë në nivelin më të lartë profesional. Po ashtu për herë të parë do ta fillojë punën ekipi për implementimin e Ligjit për Parandalimin e Dhunës dhe të Dukurive Negative në Sport. Por, i lus gjithë tifozët që kësaj here ta lënë anash inatin sepse bëhet fjalë për një ndeshje të interesit nacional dhe t’i kontribuojnë këtij interesi”, tha Ademi.

Ai dhe Salihu e shprehën bindjen e tyre se pas ndeshjes testuese për Superkupë UEFA do ta licencojë tashmë stadiumin më të mirë në Kosovë./ZËRI