FIFA sërish zgjedh 'Zërin'

Sport August 10, 2018 - 12:35

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ia ka besuar për të dytin vit gazetës “Zëri”, respektivisht redaktorit të rubrikës së sportit Valon Konushevcit, votat për më të mirët e vitit në botë për 2018, përkatësisht përzgjedhjen e futbollistëve dhe trajnerëve më të mirë.

Në fakt, prej të gjitha vendeve anëtare të FIFA-s në përzgjedhjen e laureatëve të vitit 2018 të drejtë votimi do të kenë përzgjedhësit e kombëtareve, kapitenët e tyre dhe nga një gazetar profesionist prej secilit vend.

Por, parasysh do të merren edhe votat online të tifozëve.

Përpos redaktorit të “Zërit”, nga Kosova do të votojnë edhe përzgjedhësi i Përfaqësueses, Bernard Challandes dhe kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani.

Sa u përket rregullave, nga 1 deri në 5 pikë ishte mundësia për t’i votuar tre më të mirën te futbollistët dhe trajnerët, ku si kusht përfshihen performancat individuale, kontributi për ekipet përkatëse dhe sukseset individuale dhe ekipore.

FIFA do t’i bëjë publike votat më vonë, ndërsa më të mirët e vitit do të zgjidhen në fillim të 2019-ës.

Gjithashtu në galambrëmjen e janarit do të zgjidhet edhe ekipi më i mirë i vitit që e lamë pas. /Zëri/