Historia e një rinovimi!

Sport August 10, 2018 - 11:48

Pas renovimit të stadiumit të Prishtinës me një investim prej rreth 9 milionë eurosh shteti planifikon ta modernizojë edhe stadiumin olimpik në Mitrovicë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli të enjten e vizitoi “Adem Jasharin” bashkë me dy bashkëpartiakët e PDK-së së tij, që janë ministria në Qeverinë e Ramush Haradinajt, Kujtim Gashin e Bedri Hamzën. Me këtë rast Veseli e dha lajmin për një investim të ri prej 10 milionë eurosh në këtë stadium, ku ish-drejtuesit e Qeverisë nga PDK-ja e Veselit në vitin 2014 i kishin shpenzuar rreth 800 mijë euro nga buxheti i Kosovës. Ai investim ishte kritikuar nga ministri i parafundit, Kujtim Shala i LDK-së, i cili pati deklaruar se Auditori kishte konstatuar rinovim jocilësor dhe keqmenaxhim të atij projekti

Pas rinovimit, përkatësisht modernizimit të stadiumit të Prishtinës, institucionet kanë vendosur që t’i nisin procedurat për rinovimin dhe modernizimin edhe të një stadiumi tjetër kosovar, shkruan sot gazeta Zëri.

Fjala është për stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, të cilin të enjten e vizituan drejtues të institucioneve shtetërore, jo nga koalicioni i gjerë qeverisës, por vetëm ata nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që ka hise në pushtet.

Bëhet fjalë për kryetarin e PDK-së dhe të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselin, si dhe për ministrat e Sportit dhe të Financave pranë Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, Kujtim Gashi e Bedri Hamza – bashkëpartiakët e Veselit.

Ky i fundit bashkë me ministrin Gashi të mërkurën e vizituan stadiumin e rinovuar në kryeqytet dhe pastaj shkuan në Drenas, ku u pritën nga kryetari i kësaj komune dhe bashkëpartiaku i tyre Ramiz Lladrovci për ta dhënë lajmin se në vitin 2019 në Drenas do të fillojë ndërtimi i stadiumit nacional.

Ndërsa një ditë më vonë Veseli dhe Gashi shkuan në Mitrovicë, ku e kishin marrë me vete edhe Bedri Hamzën, për ta deklaruar vendimin institucional për një investim të ri prej 10 milionë eurosh me qëllim të modernizimit të stadiumit olimpik, në të cilin ka pasur investime edhe në të kaluarën, por që gjendja e stadiumit megjithatë lë shumë për të dëshiruar.

“Në bazë të asaj që kam biseduar me ministrin e Sportit dhe atë të Financave, në stadiumin e Mitrovicës do të investohen rreth 10 milionë euro, ku do t’i ndërrohet tërë fasada e jashtme dhe do të modernizohet infrastruktura e brendshme e këtij stadiumi”, ka thënë Veseli.

Fjalë të mëdha dha edhe ministri i Ministrisë së Sportit pranë Qeverisë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Jam shumë i bindur që në vitin 2019 stadiumi ‘Adem Jashari’ do të jetë i gatshëm, do të kthehet në kategorinë e katërt dhe do të jetë ndër stadiumet më të bukura edhe për shkak të kapaciteteve që ka ky stadium”, ka pohuar Kujtim Gashi.

“Jemi në procedura që ta shndërrojmë stadiumin në Mitrovicë në të kategorisë së katërt, në mënyrë që reprezentacioni i Kosovës të ketë mundësi t’i zhvillojë ndeshjet edhe në këtë stadium”, tha mes të tjerash ministri nga radhët e PDK-së.

Ndërsa ministri i Financave Bedri Hamza deklaroi se Qeveria e Republikës së Kosovës përveçse do të sigurojë financim të qëndrueshëm për objektet sportive, do të vazhdojë me financimin e projekteve të fuqishme në Mitrovicë.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që shteti do të investojë në këtë stadium të madh të Kosovës.

Para pak vjetësh në “Adem Jashari” Qeveria e Kosovës, e cila në atë kohë udhëhiqej nga bashkëpartiakët e Veselit, ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-ministri i Sportit Memli Krasniqi, kishte investuar në stadiumin “Adem Jashari” rreth 800 mijë euro, me të cilat para i ishte përmirësuar dukshëm pamja stadiumit olimpik.

Mirëpo, nuk kishte vonuar shumë dhe gjendja e atij stadiumi filloi të përkeqësohej sërish, me ç’rast kishin lindur dyshime për punime jocilësore dhe për keqmenaxhim të projektit, ndërsa si arsyetim kryesisht përmendej mosmirëmbajtja e asaj arene.

Mirëpo ministri i parafundit i Sportit Kujtim Shala, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), disa herë i pati kritikuar punimet që ishin kryer nga paraardhësit e tij në stadiumin “Adem Jashari”, ndërsa kah fundi i mandatit pati thënë se dyshimet që i kishte shprehur ishin argumentuar edhe nga raporti i Auditorit.

“Është konstatuar se puna e kryer nuk ka qenë cilësore. Për ato punime e kemi një raport të Auditorit të Brendshëm të MKRS-së dhe sipas detyrimit ligjor atë raport ia kam përcjellë Komisionit për Kulturë, Rini, Sport dhe Arsim të Kuvendit të Kosovës”, pati thënë ish-ministri Kujtim Shala. /Zëri/