Shkëndija do ta tentojë mrekullinë në Shkup

Sport August 10, 2018 - 11:45

Shkëndija e pësoi humbjen e parë në garat evropiane të mërkurën, pasi u mposht nga Red Bull Salzburgu me rezultat 3:0 në ndeshjen e zhvilluar në “Red Bull Arena” të Salzburgut në Austri, shkruan sot gazeta Zëri.

Kuqezinjtë e shijuan më në fund humbjen, pasi deri tash patën ecuri fantastike duke e eliminuar fillimisht në rrethin e parë kualifikues ekipin uellsian The New Saints, ndërsa në rundin e dytë e eliminuan skuadrën e njohur moldave, Sheriff.

Mirëpo, në rrethin e tretë ekipi tetovar ka punë shumë më të vështirë, pasi përballë e ka gjysmëfinalistin e sezonit të kaluar në Europa League, Red Bull Salzburg.

Kuqezinjtë u dorëzuan në duelin e parë në Austri edhe pse patën mundësi, edhe mund të shënonin.

Një gol eventual do t’ua shtonte atyre gjasat për kualifikim, por ai nuk erdhi kurrë.

Trajneri Qatip Osmani e pranoi se ekipi nuk hyri në ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa shprehu keqardhje që skuadra nuk mundi ta shënonte të paktën një gol nga disa mundësi të mira që krijoi para portës kundërshtare.

“Është fakt se ndeshjen nuk e nisëm ashtu siç u morëm vesh. Me kalimin e minutave e gjetëm veten, konsoliduam lojën dhe krijuam disa mundësi, që për fat të keq nuk i shfrytëzuam”, deklaroi në konferencë për shtyp trajneri Qatip Osmani.

Tash krejt fokusi është përqendruar te ndeshja e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Shkup.

Kuqezinjtë zotohen se do ta japin më të mirën për ta tentuar përmbysjen, e cila megjithatë duket një mision shumë i vështirë për t’u arritur.

“Kemi rezultat të keq, por sigurisht se do të përgatitemi dhe do ta japim më të mirën nga vetja në ndeshjen e kthimit në Shkup. Mendoj se është shumë e natyrshme të besosh derisa ka gjasa minimale, edhe pse e përsëris se kemi rezultat shumë jo të favorshëm”, përfundoi trajneri shqiptar.

Edhe në rast se eliminohet nga Championsi Shkëndija do ta vazhdojë megjithatë eksperiencën evropiane, pasi do të luajë në “Play-Off” të Europa Leagues.

Arritja në rrethin e tretë kualifikues të Championsit është historike për Shkëndijën, por edhe pjesëmarrja në “Play-Off” të Europa Leagues do ta shkruajë një faqe të re të historisë së klubit. /Zëri/