Portierëve u rritet vlera!

Sport August 10, 2018 - 11:41

Vlera e portierëve ka pasur ngritje marramendëse viteve të fundit. Dikur ishin shumë inferiorë karshi lojtarëve, por sot dallimi është i vogël. Rasti i fundit që e vërteton këtë është portieri Kepa, për të cilin Chelsea pagoi 80 milionë euro, duke e bërë atë portierin më të shtrenjtë në histori. Ndër vite ka pasur edhe transferime të tjera të majme të portierëve

Dikur vlera e portierëve ishte inferiore karshi lojtarëve, shkruan sot gazeta Zëri.

Mirëpo gjërat kanë nisur të balancohen viteve të fundit.

Rasti i fundit që e vërteton këtë tezë është ai i portierit të Athletic Bilbaos Kepa Arrizabalaga, për të cilin Chelsea pagoi plot 80 milionë euro.

Me këtë rast ai e mori primatin botëror, duke u bërë portieri më i shtrenjtë në histori të futbollit.

Në fakt “Blues” e kanë paguar klauzolën e shkëputjes së kontratës me Athletic Bilbaon në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës në Premierligë, i cili skadoi mbrëmë.

Në fakt, portieri 24 vjeç i kushtoi klubit anglez hiç më pak se 80 milionë euro, një shifër e padëgjuar më parë.

Portieri bask është produkt i të rinjve të Bilbaos. Pasi kishte luajtur për ekipet B e C të “Rojiblancos”, ai ishte huazuar në Segunda

Division në ekipin Real Valladolid, para se të kthehej në bazë për dy sezone.

Me Kombëtaren e Spanjës e ka zhvilluar vetëm një ndeshje, ndërsa ka marrë pjesë edhe në Botërorin e Rusisë si portieri i tretë.

Ardhja e tij në Londër e ka liruar portierin Thibaut Courtois, i cili disa orë më pas u bë pjesë e Real Madridit.

Një paradoks i vogël është se “Los Blancos” do të paguajnë për portierin belg vetëm 40 milionë euro, plus huazimin e Mateo Kovacic, pra gjysma e Kepas, edhe pse bëhet fjalë për një portier shumë më të afirmuar në nivelin kontinental dhe botëror.

Transferimi i Kepas, ndër të tjera, e ka bllokuar Pepe Reinan, i cili në Botëror vinte para Kepas në hierarkinë e Lopeteguit e më pas edhe Hierros, por që nuk do të transferohet në Chelsea dhe e rrezikon një vit si rezervist në Milan.

Kepa kalon Alissonin

Blerja e fundit e Chelseat e ka kaluar Liverpoolin, i cili e kishte regjistruar primatin me blerjen e portierit Alisson nga Roma pak javë më parë.

Për portierin brazilian “Reds” kishin shpenzuar 62.5 milionë euro dhe u bë portieri më i shtrenjtë në histori për vetëm pak javë.

Operacioni “Ederson”

Njëri prej portierëve më të kushtueshëm në vitet e fundit ishte Ederson. Portieri brazilian ishte transferuar nga Benfica në Manchester City në vitin 2017 për afro 40 milionë euro.

Arritja e Neuerit në Bayern

Nëse kthehemi në kohë, në vitin 2011 kishte ndodhur një transferim sensacional.

Manuel Neuer ishte transferuar nga Schalke në Bayern Munich për një shifër që bashkë me bonuset e kishte kapur shifrën e 30 milionë eurove.

Ishte tashmë portier i Kombëtares së Gjermanisë, por ende jo më i miri në rolin e tij.

Primati afatgjatë i Buffonit

Para Alissonit për plot 17 vjet primatin e portierit më të shtrenjtë në histori e kishte mbajtur Gianluigi Buffon, të cilin e kishte blerë Juventusi në vitin 2001 nga Parma për plot 52 milionë euro.

Në atë kohë ishte një epokë tjetër në Itali... /Zëri/