Kampioni rrezikon largimin nga garat

Sport August 09, 2018 - 12:55

Basketbolli kosovar po i kalon momentet më të vështira në histori të tij, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubet e Superligës gjenden në krizë të thellë financiare dhe pjesa dërmuese e tyre mezi po qëndrojnë në këmbë.

Madje kriza i ka kapluar edhe klubet e mëdha.

Paramendojeni, derisa sezonin e kaluar e dominoi basketbollin kosovar dhe u shpall kampion për herë të parë pas luftës, Bashkimi tash po lufton për ta siguruar ekzistencën.

Kryesia e deridjeshme është larguar duke lënë pas vetes borxhe të shumta, për të cilat kryesia e re i ka ngritur duart lart sepse nuk mund t’i shlyejë ato.

Madje kryesia e re në krye me kryetarin Fadil Sahiti thotë se ka mbetur e zhgënjyer me paraardhësit e tyre, të cilët kanë lënë borxhe shumë më shumë se që i kanë deklaruar.

“Mund të jetë përgjithësim i skajshëm, por nëse kampioni aktual i Superligës në basketboll, KB Bashkimi nga Prizreni, merret si mostër e menaxhimit të entiteteve sportive që operojnë sot në Kosovë, atëherë ky është një alarm i keq për të gjithë sportdashësit kosovarë. Siç është i njoftuar opinioni, para disa javësh KB Bashkimi e ka ndërruar menaxhmentin dhe krejt çfarë është trashëguar nga periudha e mëparshme është një listë e gjatë e detyrimeve të klubit pa asnjë aset, qoftë edhe një laps i vetëm”, thotë kryetari Sahiti.

“Për habinë tonë totali i borxhit të klubit karshi firmave vendore nuk është ashtu siç është potencuar në mbledhjen e Kuvendit, por më shumë se dyfishi i saj. Edhe borxhi karshi Arbitrazhit Ndërkombëtar (BAT) nuk është 13 mijë, siç na ishte kumtuar, por pesëfish më shumë. Një e pesta e borxhit është e formës së prerë, që do të thotë qe klubi duhet t’i paguajë patjetër deri më 14 gusht në mënyrë që të lejohet pjesëmarrja në gara brenda dhe jashtë shtetit. Dy raste janë në proces të gjykimit dhe pas kontakteve tona me autoritetet e Arbitrazhit na është kumtuar se të dyja rastet do të fitohen nga ish-lojtarët e klubit, Gruev dhe Shamadan”, shton kreu i klubit.

Andaj, duke e pasur parasysh se do të jetë e vështirë të gjenden gjithë ato mjete financiare, Sahiti e paralajmëron më të keqen për klubin Portokalli.

“Në dritën e kësaj gjendjeje KB Bashkimi pa një mbështetje institucionale pothuajse e ka të pamundur të marrë pjesë në Superligë sikurse edhe në ligën Ballkanike, siç e kemi paralajmëruar pjesëmarrjen. U kërkojmë falje simpatizuesve të qytetit, veçanërisht ‘Arpagjikëve’ për këtë lajm jo të mirë. Edhe pavarësisht një fillimi premtues ne mund të jemi të detyruar të tërhiqemi nga menaxhimi i klubit”, ka përfunduar Sahiti.

Paraprakisht krizën e thellë e ka konfirmuar edhe Rahoveci, që vjen pas një sezoni fantastik.

Peja ishte zhytur në krizë të thellë sezonin e kaluar, ndërsa në gjendje thuajse të njëjtë është edhe Trepça viteve të fundit.

Kriza dhe problemet e brendshme e kanë kapluar edhe klubin më të madh në vend, Sigal Prishtina e të mos flasim për klubet më të vogla.

Drejtuesit e FBK-së ndiejnë keqardhje për këtë gjendje të klubeve, por thonë se kjo është përgjegjësi e menaxhimit të dobët të klubeve. /Zëri/