Meritova më shumë!

Sport August 08, 2018 - 13:13

Valon Behrami ka mbetur i tronditur me ta marrë lajmin se nuk do të jetë më pjesë e Kombëtares së Zvicrës, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollisti kosovar ka dhënë gjithçka për “Helvetikët”, ndërsa në fund u njoftua vetëm përmes një telefonate se nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Vladimir Petkoviq.

Mirëpo, futbollisti nga Mitrovica shprehet se vendimi për largimin e tij lidhet kryekëput me politikën dhe se nuk ka të bëjë me aspektin sportiv, pasi është i bindur se mund të jepte ende kontribut për ekipin kuqebardhë.

“Dëbimi është një vendim politik i vendimmarrësve që nuk kanë asnjë lidhje me sportin e me futbollin dhe nuk kanë luajtur kurrë vetë”, ka thënë futbollisti i Udineses për mediet zvicerane.

“Të parin e kam thirrur Granit Xhakën në telefon për t’i treguar për vendimin. I kam thënë se do të jesh lider i ekipit dhe ai më tha se do ta ndjekë shembullin tim”, ka shtuar Behrami, i cili thotë se çarja në Përfaqësuesen e Zvicrës ka nisur pas ndeshjes me Serbinë, ku Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri festuan me shqiponjë pas golave të shënuar.

Behrami tutje ka shtuar se e kishte merituar një përshëndetje më të mirë nga përfaqësuesja për gjithçka që ka dhënë për këtë ekip dhe për unitetin që është munduar ta mbajë në ambientin “Helvetik”.

Gjithashtu ka zbuluar se ishte ai që i ka bindur Xhakën e Shaqirin të mos largohen nga Kombëtarja e Zvicrës për t’iu bashkuar Kosovës.

“Ndihem i zhgënjyer. Edhe unë jam njeri dhe kam ndjenja për njerëzit këtu. Po flas për trajnerin dhe për gjithë grupin. Si person kjo po më lëndon shumë. E di se zhgënjime të tilla janë pjesë e karrierës së një futbollisti, e di se këto ndodhin shpesh. Por unë mendoja se mund t’u besoja disa njerëzve të caktuar sa i përket fatit tim, të paktën. Të ma thonë atë në fytyrë. Ta vendosin dorën e tyre mbi shpatullat e mia dhe jo të ma thonë në një telefonatë 30-sekondëshe se unë më nuk jam pjesë e projektit të tyre”, ka përfunduar Behrami.

Petkoviq: Vendimi s’ka të bëjë me politikë

Përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkoviq, është zotuar se vendimi për ta larguar Behramin nga kombëtarja është vendim i tij sportiv e jo politik.

“Ky është vendim imi dhe është i bazuar në kriteret sportive. Nuk ka të bëjë aspak me politikë”, tha ai.

“Unë kam menduar për këtë, i kam kontaktuar disa lojtarë, por ende nuk e kam marrë vendimin final”, ka shtuar trajneri i “Helvetikëve”.

Serbët i gëzohen vendimit për Behramin

Mediet serbe sikur i janë gëzuar largimit të Valon Behramit nga Kombëtarja e Zvicrës.

“Telegraf.rs” ka ardhur me një titull mjaft tendencioz dhe nxitës rreth situatës së fundit të krijuar te “Helvetikët”.

“Provokimi ndaj serbëve erdhi në krye: Tërmet në Zvicër, Petkoviq e largoi shqiptarin nga ekipi me një telefonatë”, ka shkruar ky medium.

Edhe mediumet tjera serbe e kanë publikuar lajmin për përjashtimin e Behramit me mburrje, duke thënë se ai u bë “kurban” për shqiponjat e Xhakës dhe Shaqirit. /Zëri/