Lamtumira e rekordmenit

Sport August 08, 2018 - 13:04

Essam el Hadary është pensionuar nga kombëtarja e Egjiptit në moshën 45-vjeçare. Ai tërhiqet nga niveli ndërkombëtar pasi e theu rekordin duke u bërë lojtari më i vjetër në histori që paraqitet në Botëror. El Hadary megjithatë nuk do të tërhiqet përfundimisht nga futbolli pasi ka njoftuar se do të vazhdojë të mbrojë ende në nivelin e klubeve

Portieri veteran egjiptian Essam el Hadary ka vendosur të pensionohet nga përfaqësuesja e tij në moshën 45-vjeçare, shkruan sot gazeta Zëri.

Në fakt, në kampionatin botëror “Rusia 2018” ai e theu rekordin duke u bërë lojtari më i vjetër që paraqitet në evenimentin më të rëndësishëm botëror të futbollit.

“Pasi reflektova dhe e pyeta Zotin, vendosa të tërhiqem nga përfaqësuesja egjiptiane”, ka shkruar El Hadary në rrjetin social “Facebook”.

El Hadary, të cilin e quajnë “High Dam”, i ka zhvilluar 159 ndeshje për vendin e tij gjatë 22 vjetëve eksperiencë në nivelin ndërkombëtar, derisa ai mori pjesë katër herë në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Në moshën 45-vjeçare dhe 161 ditë El Hadary e kaloi rekordin e portierit kolumbian Faryd Mondragon si lojtari më i vjetër që paraqitet në Botëror ku u paraqit në fushën e blertë kundër Arabisë Saudite gjatë kësaj vere në Volgograd.

“Jam mjaft krenar që e realizova ëndrrën më të madhe dhe më të rëndësishme që të luaja në Botëror”, ka thënë portieri veteran.

Image

Portieri më i vjetër që priti penallti në Botëror

Ai e shijoi Botërorin e parë të Egjiptit që nga viti 1990, ndërsa “ishte viktimë” e paraqitjes së zbehtë të shokëve të skuadrës në Rusi, derisa skuadra e udhëhequr nga ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah, doli nga “Rusia 2018” pa fitore.

El Hadary, megjithatë u shqua te “Faraonët” duke e pritur në mënyrë mbresëlënëse penalltinë në ndeshjen e fundit kundër Arabisë Saudite ndaj një lojtari me moshë thuajse sa gjysma e tij.

Njëherësh, El Hadary u bë portieri më i vjetër që pret penallti në një Botëror.

“Një legjendë e re nga gjenerata jonë e artë po na lë”, ka shkruar Salah në rrjetin social “Twitter”, duke i uruar El Hadaryt çdo të mirë në të ardhmen.

Vazhdon në nivelin e klubeve

Pavarësisht faktit se hoqi dorë nga Kombëtarja, El Hadary do të vazhdojë të mbrojë ende në ekipin nga elita e futbollit egjiptian, Ismaily.

Ai nënshkroi me klubin e ri nga vendi i tij në korrik pasi u largua nga klubi arab Al Taawun. /Zëri/