Shkëndija testoi stadiumin ‘Red Bull Arena’ para ndeshjes së sontme

Sport August 08, 2018 - 13:01

Pas konferencës së rregullt për shtyp futbollistët e Shkëndijës shkelën terrenin e stadiumin ku saktë pas 24 orëve do të zhvillohet ndeshja e parë e raundit të tretë të eliminatoreve të Champions League kundër Red Bull Salzburgut.

Lojtarët dolën në terren me entuziazëm për të kryer seancën e fundit stërvitore në një impiant fantastik para duelit me gjysmëfinalistin e edicionit të fundit të UEFA Europa League.

Ashtu si parasheh rregullorja seanca stërvitore ishte e hapur për mediat vetëm në 15-të minutat e para kur lojtarët kryen ushtrime të lehta dhe nxemjen e nevojshme.

Më vonë trajneri Qatip Osmani zhvilloi pjesën e paraparë tekniko-taktike, duke kryer përgatitjet e fundit para sfidës së parë me Red Bull Salzburgun.

Si që kemi njoftuar më herët, për lojë do të konkurrojnë edhe Gledi Mici, i rikuperuari Besmir Bojku, si dhe i riu Leard Sadriu, ndërsa me ekipin nuk ka udhëtuar Alma Wakili.

Image

Skuadra kuqezi në ‘Red Bull Arena’ dhuroi vibracione pozitive të cilat shpresohet të jenë të pranishme edhe të mërkurën në duelin e parë përballë kampionëve të Austrisë.

Vendasit njoftojnë se kur kanë mbetur edhe 24 orë deri në fillimin e ndeshjes janë shitur rreth 7-8 mijë bileta, ndërsa shitja vazhdon dhe tifozët që do të mbështesin Shkëndijën preferohet të blejnë bileta për sektorin e tribunës A01.

Ndeshja Red Bull Salzburg-Shkëndija luhet të mërkurën në ‘Red Bull Arena’ me fillim në orën 19:00. /Zëri/