E lë Anglisë për këtë Kombëtare!

Sport August 07, 2018 - 11:41
E PAZAKONTË!

Saido Berahino ka vendosur të heqë dorë nga Kombëtarja e Anglisë, e cila edhe ashtu e ka harruar në dy vjetët e fundit. Për këtë sulmuesi i Stoke Cityt e ka ndërruar ekipin kombëtar dhe tash e tutje do të luajë për vendin e origjinës së tij, Burundin. 23-vjeçari synon të bëhet protagonist në përfaqësuesen nga Afrika Qendrore dhe synim i tij është ta dërgojë atë në Kupën e Afrikës 2019

Pasi nuk u konsiderua sa duhet nga Kombëtarja e Anglisë në dy vjetët e fundit dëshpëruese, Saido Berahino ka vendosur ta pranojë ftesën e vendit të tij të origjinës, që është Burundi.

Futbollisti e ka marrë lejen nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) pasi i ka kryer procedurat burokratike.

Me këtë rast sulmuesi i Stoke Cityt do t’i mbrojë ngjyrat e përfaqësueses Kuqegjelbër, shkruan sot gazeta Zëri.

U lind në Burundi, u rrit në Angli

I lindur në vitin 1993, Berahino u lind pikërisht në Burundi, në kryeqytetin Bujumbura.

Ndërkaq ai kishte zbarkuar në Britaninë e Madhe kur ishte 10 vjeç, pasi kishte kërkuar azil së bashku me nënën dhe vëllezërit.

Ai është rritur në Birmingham, ndërsa ishte bërë pjesë e ekipit të të rinjve të West Bromwich Albion në vitin 2004.

Luajti për të rinjtë e Anglisë

Berahino ka luajtur për të gjitha ekipet e të rinjve të Anglisë duke realizuar 24 gola në 47 paraqitje.

Në mes viteve 2014 e 2016 ishte ftuar për ndeshjen kundër Sllovenisë dhe Skocisë, por që nuk ishte futur asnjëherë në lojë me ekipin A të Anglisë.

Kjo ia mundësoi atij që ta ndërrojë ekipin dhe të kthehet në vendin e të parëve të tij.

Image

Synon ta ngrejë lart Burundin

Kombëtarja e Burundit gjendet në vendin e 148-të në renditjen e FIFA-s, ndërsa nuk ka pasur kurrë lojtarë të mëdhenj në të cilët do të mundë të mbështetej.

Berahino mund të jetë lojtari i duhur për ta nxjerrë këtë ekip nga “humnera”.

Njëjtë siç po kërkon të bëjë ekipi nga Afrika Qendrore edhe me futbollistin Kondogbia për ta ndërtuar një skuadër të respektuar.

Berahino do të ftohet për ndeshjen e ardhshme të Burundit, e paraparë të zhvillohet më 7 shtator të këtij viti.

Lojtari do të ftohet për ndeshjen kundër Gabonit të Aubameyangut, në duelin e vlefshëm për Grupin C.

Dhe, sulmuesi 23-vjeçar do të provojë ta marrë një rol të protagonistit në kombëtaren e tij, të cilën do të mundohet ta dërgojë drejt Kupës së Afrikës 2019.

Duhet cekur se ndërrimin e Kombëtares e kanë bërë edhe disa futbollistë shqiptarë në të kaluarën, duke iu bashkuar Kombëtares shqiptare ose më pas edhe Kosovës. Pra, ky fenomen për shqiptarët nuk është risi. /Zëri/