Njihuni me lojtarin që i ndërroi 32 klube!

Sport August 07, 2018 - 11:39

Ryan Maxwell është futbollisti që ka ndërruar më së shumti klube ndonjëherë. Në moshën 35-vjeçare mesfushori ka luajtur për plot 32 klube. Ai është i penduar për sjelljet e tij, që e bënë të përjashtohej nga disa klube, pasi ka mundur të arrinte shumë në karrierë kur luante në një ekip me John Terryn. Tash ai po e fillon zejen e trajnerit dhe thotë se ka mësuar nga gabimet

Ryan Maxwell është jashtëzakonisht i sinqertë kur pyetet se përse në moshën 35-vjeçare i ka bërë 32 lëvizje nëpër klube qëkur kishte luajtur me John Terryn në ekipin e të rinjve të Chelseat, shkruan sot gazeta Zëri.

“E kam humbur karrierën time. Askush nuk më ka faj, krejt fajin e kam vetë”, thotë fillimisht futbollisti nga Irlanda e Veriut për “BBC Sport”.

Qëkur ishte përjashtuar nga Chelsea për shkaqe disipline Maxwell e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës duke luajtur në ekipe nga ligat më të ulëta dhe është bërë një mesfushor udhëtar, duke i ndërruar 27 klube në katër shtete të ndryshme.

Karriera e tij përfshin edhe tri eksperienca në dy klube të ndryshme – Grays Athletic e Heybridge Swifts, ndërsa ai ishte përjashtuar kur ishte 31 vjeç nga ekipi Sudbury pasi ishte konfrontuar me tifozët.

“Mendoj se ndonjëherë jam paksa i keqkuptuar”, shton Maxwell.

Të shtunën ish-përfaqësuesi i Irlandës së Veriut U-21 do ta bëjë paraqitjen e tij të parë në FA Cup si trajner, kur ekipi i tij Walthamstow do të luajë me rivalin Walsham-le-Willows në njërën nga 184 ndeshjet e rundit preliminar, që do të zhvillohen të premten, të shtunën dhe të dielën.

Pasi u emërua si lojtar/trajner në ekipin nga Essex Senior League në muajin shkurt Maxwell planifikon të mësojë nga e kaluara dhe synon që ta dërgojë sa më larg klubin e tij, gjithashtu për ta ndihmuar që të fitojë para.

Image

“Unë sigurisht e kam shkatërruar karrierën time, por kjo më ka vetëdijesuar që të mos i ndihmoj njerëzit që sillen si unë”, vazhdoi ai.

20 vjet më parë 15-vjeçari Maxwell po luante në të njëjtin ekip me Terryn dhe Mikael Forssell për Chelsea U-19. Futbollisti i lindur në Belfast pritej të bënte gjëra të mëdha në karrierë.

“Unë isha kapiten i ekipit tim në moshën time në Chelsea. Isha yll i ri Chelsea, por gjithmonë e dija se isha paksa më i mirë se të tjerët. Kishte momente kur e thyeja disiplinën. Ata më lanë të vazhdoja si kapiten. Por, në fund të sezonit ata më thanë se sjelljet e mia ishin të paqëndrueshme”, shton futbollisti.

Maxwell kishte përfunduar në Crystal Palace, por në moshën 17-vjeçare ishte huazuar në Reading.

“Çfarë lloj 17-vjeçari dërgohet në huazim? Edhe këtë radhë bëhej fjalë për mungesë disipline. Unë isha aq i obsesionuar me fitoret, ndërkohë që nuk po mund të luaja, nuk po më jepej rasti. Kjo ishte çmenduri për mua”, nënvizoi futbollisti karizmatik. Shpresat e tij për një karrierë profesioniste morën fund.

Ai luajti më pas për ekipet Grays Athletic (tri herë), Hamilton Academical, Raith Rovers, Dagenham & Redbridge, Redbridge, Basingstoke Town, Margate, Gravesend & Northfleet, Bishop's Stortford, Llanelli e Braintree.

Më pas ai vazhdoi me Boreham Wood, Billericay, Larne në Irlandën e Veriut, Welling United, St Albans City, Waltham Abbey, Whyteleafe, Heybridge Swifts (tri herë), Ware (dy herë) e Walthamstow (dy herë). Kishte edhe më shumë klube.

Maxwell ishte në pushime në Andorrë kur e takoi një menaxher, i cili i sugjeroi t’i bashkohej ekipit Tonbridge Angels në vitin 2006.

Në 2012-n ai përkohësisht u paralizua pas një dueli me kokë derisa po luante për ekipin Harlow Town. Gjithashtu ishte bashkëpronar i një palestre të boksit kur ishte larguar nga Sudbury në vitin 2014. /Zëri/