UEFA do ta pranojë stadiumin legjendar të Prishtinës

Sport August 07, 2018 - 11:35

Kosovës i janë dashur më shumë se dy vjet kohë e po ashtu rreth 9 milionë euro për t’u bërë me një stadium të nivelit evropian. Procesi i rinovimit të stadiumit të Prishtinës tashmë konsiderohet i kryer. Ky objekt e ka marrë emrin “Fadil Vokrri” dhe ka ndryshuar shumë. Është përmirësuar dukshëm. Madje UEFA pa u hamendur pritet t’ia japë licencën e kategorisë së katërt. Përfaqësuesit e UEFA-s së fundmi e kanë inspektuar stadiumin të hënën dhe mësohet se u kanë pëlqyer punimet e bëra. Por, para se ta marrë “aminin” nga UEFA stadiumit do t’i bëhet testimi final të hënën e ardhshme përmes ndeshjes për Superkupë ndërmjet Dritës dhe Prishtinës. Një ndeshje tjetër e planifikuar ka dështuar

UEFA pritet ta licencojë stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri” menjëherë pas ndeshjes ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e cila do të zhvillohet më 13 gusht në këtë stadium tashmë të rinovuar.

Procesi i rinovimit të këtij stadiumi tashmë ka përfunduar, shkruan sot gazeta Zëri.

Aty po kryhen vetëm disa punë të imëta.

Stadiumi legjendar i futbollit kosovar ka ndryshuar shumë falë 9 milionë eurove të investuara kryesisht nga Ministria e Sportit dhe pjesërisht nga Komuna e Prishtinës.

Punimet në këtë stadium kanë pasur ecuri shumë të ngadalshme.

Ato patën nisur para dy vjetësh, përkatësisht nga qershori i vitit 2016.

Mirëpo tani kur kanë kaluar dy vjet me procesin e rinovimit ky objekt është përmirësuar shumë.

Stadiumi i kryeqendrës së Kosovës tashmë është i modernizuar dhe do të jetë në gjendje t’i presë ndeshjet ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës, por edhe ato të klubeve tona.

Ndërkohë, aty do të zhvillohen edhe ndeshje kampionale të Kosovës, ku FC Prishtina do të luajë si vendase.

Mirëpo paraprakisht pritet t’i bëhet pranimi nga UEFA. Inspektorët e shtëpisë së futbollit evropian në vazhdimësi i kanë inspektuar punimet që bëheshin gjatë dy vjetëve të fundit.

Kohë pas kohe kanë dhënë vërejtje dhe e kanë detyruar palën kosovare t’i përmirësojë gabimet në procesin e rinovimit.

Kjo kishte bërë që projekti të kushtojë 9 milionë euro, dukshëm më shumë sesa parashikimet financiare fillestare.

Të dërguarit e UEFA-s së fundmi stadiumin në Prishtinë e inspektuan të hënën.

Një inspektim të detajuar ia kanë bërë paradite dhe një tjetër në mbrëmje.

Ata janë shoqëruar nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të Ministrisë së Sportit, të Komunës dhe të punëkryesit.

Mirëpo inspektimi përfundimtar do t’i bëhet të hënën e ardhshme, kur do të zhvillohet ndeshja për Superkupë ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e cila do të zhvillohet në mbrëmje nën ndriçimin e reflektorëve dhe në prani të madhe të publikut.

Me gjasë stadiumi do të jetë i mbushur me shikues. Një mundësi kjo ideale për UEFA-n për t’i nxjerrë konstatimet përfundimtare.

Pak ditë pas ndeshjes UEFA do ta njoftojë FFK-në nëse stadiumi i përmbush të gjitha kriteret për t’i pritur ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve, të cilat do të fillojnë nga shtatori.

“Nëse do të pyeteshim para katër javësh se a do ta pranojë UEFA stadiumin e Prishtinës ndoshta do të thosha jo. Por tani jemi të bindur se UEFA do ta pranojë stadiumin. Këtë po e vërejmë edhe nga ky inspektim i fundit që po i bëhet. Ato që janë të domosdoshme për pranim nga UEFA tashmë i ka stadiumi në Prishtinë”, tha një burim i “Zërit” i pranishëm në inspektimin që përfaqësuesit e UEFA-s ia bënin dje stadiumit “Fadil Vokrri”, në të cilin mediet nuk janë lejuar të hyjnë.

Në fakt më 28 korrik ishte paraparë zhvillimi i një ndeshjeje testuese mes veteranëve të Prishtinës, atyre të Flamurtarit nga Vlora, politikanëve dhe artistëve e këngëtarëve.

FFK-ja i ftonte shikuesit sepse i duheshin 3 mijë shikues që të jenë prezentë për ta mundësuar testimin.

Ndeshja ishte pezulluar për shkak se kishte ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Takimi ishte shtyrë për datën 6 gusht. Por, ndeshja përfundimisht u anulua, duke ia lënë mundësinë për testim takimit Drita – Prishtina, që zhvillohet të hënën e ardhshme.

Në FFK janë të bindur se UEFA do ta pranojë stadiumin, i cili do të regjistrohet në listën e stadiumeve të kategorisë së katërt evropiane.

Deri në qershorin e vitit 2016 stadiumi ka qenë në dorë të FC Prishtinës, të cilës Komuna e Prishtinës ia kishte dhënë në shfrytëzim këtë objekt deri në vitin 2024.

Mirëpo, kur punimet filluan stadiumin e mori në dorë Ministria e Sportit, e cila shumë shpejt do ta kthejë në dorë të Komunës së Prishtinës e që është pronare e këtij objekti dhe do të ketë mundësi të zgjedhë për të menaxhuar vetë me stadiumin ose për t’ia besuar FC Prishtinës, FFK-së ose edhe Ministrisë.

Por, sipas të gjitha gjasave, Komuna do të vendosë për të menaxhuar vetë me këtë stadium, që do t’ia hapë dyert FC Prishtinës për t’i zhvilluar ndeshjet e saj dhe për ta zhvilluar nga një stërvitje para çdo ndeshjeje.

Në ndërkohë, Komuna do ta lërë stadiumin edhe në dispozicion të FFK-së për t’i organizuar ndeshjet e Përfaqësueses shtetërore.

Komuna pritet t’i hapë dyert e stadiumit edhe për ndeshje të tjera të interesit nacional, por në ndërkohë do të jetë e obliguar ta mirëmbajë pavarësisht faktit se mirëmbajtja kërkon kosto goxha të lartë. /Zëri/