Mitrovica në Champions

Sport August 07, 2018 - 11:33

Klubi futbollistik Mitrovica në konkurrencën e femrave do të debutojë sonte në garat evropiane, shkruan sot gazeta Zëri.

Vashat nga qyteti buzë lumit Ibër do të luajnë në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve për Femra, ndërsa do të jetë pjesë e Grupit 4 së bashku me ekipin nga Republika Çeke, Slavia Praha, hungarezet mikpritëse të MRK Hungaria dhe ekipin turk Atasehir Belediyespor.

Ndeshjet do të zhvillohen në Hungari nga 7 deri më 13 gusht. Mitrovicaset janë mjaft të motivuara për të arritur suksese në këtë eksperiencë të re për to.

Ato do të nisin gjithçka me duelin e sontëm ndaj ekipit vendës MKR Hungaria, në duelin që do të zhvillohet sonte nga ora 18:00 në stadiumin “Hidegkúti Nándor Budapest”.

Më pas mitrovicasit më 10 gusht do të luajnë me ekipin Slavia Praha, kurse ndeshjen e tretë dhe të fundit do ta luajnë më 13 gusht kundër Atasehir.

Në Serbi përcillen nga policia

Kontingjenti mitrovicas është nisur me autobus të dielën mbrëma drejt Hungarisë. Dhe, futbollistet kosovare janë përcjellë nga vetura e policisë serbe për shkaqe sigurie sa parakaloi nëpër territorin serb për të shkuar në Hungari. Kampionet e Kosovës e kanë mbajtur një seancë të lehtë stërvitore mbrëmë në Hungari para ndeshjes së sotme.

Ndryshe, skuadrën e KFF Mitrovica e përcollën nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Faruk Mujka, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport Tafil Peci, si dhe anëtari i Federatës së Futbollit të Kosovës Adem Çollakaj. Mitrovica ndeshjen e parë luan ndaj MTK të martën.

40 klube do të garojnë për 12 vendet e mbetura në fazën e nokautit, ku do të luajnë 32 skuadra. 10 fitueset e grupeve dhe vendet e dyta më të mira do të shkojnë më tutje gjatë tri ditëve kur do të luhen ndeshjet, më 7, 10 e 13 gusht, ndërsa shorti për fazën tjetër do të hidhet më 17 gusht.

Liga e Kampionëve për Femra

Grupi 4

Slavia Praha

MTK Hungária

Ataëehir Belediyespor

Mitrovica