KB Rahoveci paralajmëron largimin nga garat!

Sport August 06, 2018 - 15:58

Klubi i basketbollit Rahoveci ka hyrë në krizë të thellë financiare, shkruan Zeri.info.

Kjo skuadër e bëri mrekullinë sezonin që shkoi, ndërsa tash e sheh veten pranë tërheqjes nga garat.

Bordi i klubit njofton se kjo javë do të jetë vendimtare për të ardhmen e klubit.

Sipas tij, nëse deri të enjten, kur është edhe data e fundit e regjistrimit të klubeve, nuk gjenden sponsorë që do të sigurojnë mbarëvajtje, klubi do të detyrohet të tërhiqet përfundimisht nga garat.

Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e klubit të Superligës:

“Bordi i KB Rahoveci dëshiron të informoi opinionin publik lidhur me zhvillimet e fundit rreth gjendjes në klub dhe përgatitjeve për edicionin e ri. Gjendja financiare aktualisht është e rëndë, ndërsa për këtë anëtarët e bordit gjatë gjithë muajit korrik, kanë punuar që të sigurojnë bazë stabile financiare për skuadrën gjë që është e domosdoshme për përsëritjen e suksesit nga edicioni i kaluar. Në këtë mes është angazhuar edhe kryetari i Komunës, z.Smajl Latifi i cili vazhdimisht është interesuar për gjendjen aktuale të klubit. Pas analizave dhe prezantimi të planit financiar, janë zhvilluar edhe dy takime me përfaqësuesit e bizneseve në Rahovec, ndërsa që të dy takimet janë thirrur nga kryetari Latifi. Aty përfaqësuesit e bizneseve janë njoftuar me planin e KB Rahoveci, ndërsa në parim disa prej tyre janë shprehur të gatshëm që të kontribuojnë.

Bordi i KB Rahoveci dëshiron të qartësoj se kjo javë është vendimtar për të ardhmen e klubit që bëri histori, ndërsa mbështetja e bizneseve është më se e domosdoshme për vazhdimin e garave, tash kur klubi ynë po bëhet edhe me shtëpi, palestrën.

Bordi i KB Rahoveci ka kërkuar dhe kërkon nga të gjithë që janë të gatshëm për ndihmë ta përkrahin këtë projekt, në mënyrë që puna e nisur të vazhdoj me sukses.

Në tërë këtë situatë bordi i KB Rahoveci do të marr vendimin për vazhdimin e garave ose jo, më së largu deri të enjten atëherë kur është afati i fundit për regjistrimin e klubeve.

BORDI I KB RAHOVECI

06.08.2018”. /Zëri/