Sonte s’ka lojë në Prishtinë, ja kur testohet stadiumi i rinovuar!

Sport August 06, 2018 - 12:56

Sonte nuk do të zhvillohet ndeshja testuese e stadiumit të rinovuar në Prishtinë ndërmjet veteranëve të Prishtinës, Flamurtarit të Vlorës, politikanëve, artistëve dhe këngëtarëve.

Në fakt, kjo ndeshje testuese ishte paraparë të zhvillohet më 28 korrik, raporton “Zëri”.

Federata e Futbollit e Kosovës i ftonte shikuesit të jenë prezentë sa më shumë në stadium sepse i duheshin mbi 3 mijë shikues që të jenë prezentë për ta mundësuar testimin.

Ndeshja ishte pezulluar për shkak se kishte ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Takimi ishte shtyrë për datën 6 gusht, përkatësisht për mbrëmjen e sontme. Por, ndeshja përfundimisht është anuluar, mëson “Zëri”.

Kështu, sipas burimeve të “Zërit”, testi i vetëm dhe final stadiumit “Fadil Vokrri” do t’i bëhet të hënën e ardhshme, më 13 gusht, përmes ndeshjes për Superkupën e Kosovës ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e cila do të zhvillohen nën ndriçimin e reflektorëve dhe në prezencë të mijëra shikuesve.

Vetëm pas atij takimi UEFA do ta njoftojë FFK-në nëse e ka pranuar teknikisht këtë objekt, rinovimi i të cilit ka nisur më shumë sesa dy vjet dhe i cili ka kushtuar rreth 9 milionë euro. /Zëri/