Fundi i një karriere të suksesshme

Sport August 06, 2018 - 12:07

Debatik Curri i ka dhënë fund karrierës së lavdishme. Mbrojtësin kosovar s’e lanë rehat lëndimet së fundmi dhe ato ia pamundësonin ta jepte 100-përqindëshin nga vetja. Sidoqoftë, 34-vjeçari po largohet me një bagazh të madh në mes suksesesh në nivelin vendor dhe në atë ndërkombëtar. Prishtinasi i ka arritur thuajse të gjitha në karrierë dhe thotë se po largohet i qetë dhe me kokën lart. Për të po fillon një epokë e re. Ai do t’i bashkohet stafit teknik të FC Prishtinës dhe në të ardhmen synon të bëhet trajner i madh

Debatik Curri ka thënë “boll ma”.

Futbollisti i njohur kosovar i ka vendosur këpucët në gozhdë pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme, shkruan sot gazeta Zëri.

Mbrojtësin e njohur s’e lanë rehat lëndimet në vitin e fundit dhe ia pamundësuan që ta jepte 100-përqindëshin, prandaj ai e mori vendimin më të vështirë në karrierë.

“Kohëve të fundit më kanë munduar disa shqetësime prej lëndimeve, nuk kam mundur ta jap 100-përqindëshin tim. Në vitin e fundit i kisha 2-3 lëndime dhe nuk kisha mundësi ta jepja më të mirën. E pashë që trupi im nuk është i gatshëm ta japë atë që unë dua dhe për këtë e pashë të arsyeshme ta përfundoja karrierën. Gjithashtu, kisha dhimbje të kohëpaskohshme edhe në shpinë”, thotë fillimisht Curri për “Zërin”.

Image

E shtyu karrierën vetëm për t’u bërë kampion

Karriera e Currit kishte për t’u mbyllur para një viti, por ai e kishte një dëshirë të flaktë, e cila e shtyri t’i shtrëngonte dhëmbët dhe të luante edhe një vit.

“Ta them të drejtën, pensionimin e kam menduar edhe pas vitit të parë që u ktheva në Prishtinë, por pata dëshirë të bëhem kampion, ta mbylli karrierën me titullin kampion. Por fati deshi të përfundonim në vendin e dytë. Ishte e vështirë të vendosja për ta lënë futbollin, por njeriu duhet të vendosë një herë dhe pas një karriere të gjatë, erdhi koha edhe për mua”, vazhdoi ai.

Prishtina, ëndrra e realizuar

Debatik Curri e pati një karrierë të pasur, duke luajtur në Shqipëri, në Ukrainë dhe në Turqi, krahas Kosovës, mirëpo ëndërr e tij ishte që karrierën ta mbyllte aty ku e kishte nisur.

“Pas një karriere të gjatë e kam pasur ëndërr ta përfundoj me Prishtinën dhe ëndrra më është realizuar. Dhe ëndrrat i përfundova pasi këtu e fillova dhe këtu e përfundova. Isha këtu që nga fëmijëria dhe nuk më ka shkuar asnjëherë mendja të luaj në ndonjë ekip tjetër në Kosovë, pa marrë parasysh ofertat që i kisha. Fanella e Prishtinës dhe ajo e Kombëtares Shqiptare janë ato që i kam ndier më së shumti kur kam qenë në fushë. Prishtina është klub i madh, individët vijnë e shkojnë, klubi mbetet”, vijoi Curri.

Image

Debatiku e nis epokën e trajnerit

Debatiku nuk është larguar përfundimisht nga FC Prishtina.

Ai do të jetë pjesë e klubit, tash e tutje do t’i bashkohet shtabit teknik.

Curri zotohet se do ta japë më të mirën për ta ndihmuar klubin Bardhekaltër dhe ndihet krenar që do të mësojë nga stafi i trajnerëve profesionistë që janë në klub.

“Unë do të vazhdoj të jem pjesë e klubit. E falënderoj shumë klubin dhe kryetarin Remzi Ejupi që ma kanë dhënë këtë mundësi. Do të mësoj shumë nga trajneri Mirel Josa. Një herë do të filloj me mësim në praktikë e pastaj do t’i mbaroj edhe licencat. Më është propozuar të jem pjesë e shtabit të Josës, do të jem afër tij. Ne si futbollistë mendojmë se i dimë të gjitha, por të jesh lojtar dhe trajner dallon shumë. Pra, unë jam i mendimit se do të filloj nga zeroja, sikur të mos di asgjë. Kam shumë për të mësuar. Do të mundohem ta ndihmoj klubin dhe futbollin kosovar në përgjithësi”, shton Curri.

Ai e pranon se nuk e kishte paramenduar se do ta kishte një karrierë aq të suksesshme dhe në përgjithësi është shumë i kënaqur me atë që e ka arritur.

Curri thotë se karriera e tij është karakterizuar kryesisht me gjëra pozitive, derisa thotë se kulmin e karrierës e ka arritur kur luante në Ukrainë, ku si mbrojtës i krahut të majtë i kishte realizuar plot 22 gola për 5 vjet.

Pastaj kishte shkuar në Turqi, por dy lëndime të rënda ia humbën hapin.

Atij i ka mbetur merak pjesëmarrja në Evropianin e Francës pasi ishte lënduar dhe nuk mundi ta shijonte atë, edhe pse ishte në shumicën e ndeshjeve kualifikuese.

Gjithashtu, pengun e dytë thotë se e ka që nuk mundi të bëhej kampion me Prishtinën vjet, edhe pse në të kaluarën e kishte shijuar këtë ndjenjë me Bardhekaltrit.

Image

“Shpresoj që me Prishtinën të bëhem kampion si trajner në të ardhmen”, shprehet ndër të tjera Curri.

Ai e kishte nisur karrierën si lojtar ofensivë, por me kalimin e kohës u kthye prapa.

Sidoqoftë, Debatiku zbulon se asnjëherë nuk ka pasur qejf të luante si mbrojtës, pasi ishte lojtar ofensivë natyral, por ai i dëgjoi pa përtesë kërkesat e trajnerëve dhe u bë mbrojtës stabil, duke luajtur në krahun e majtë ose si qendërmbrojtës.

Në fund, Curri thotë se futbollin kosovar po e lë në ngritje e sipër dhe i vjen shumë mirë që klubet e këtushme po marrin pjesë në garat evropiane. Po e gëzon fakti edhe që stadiumet po rregullohen.

Ai thotë se në Kosovë ka talente shumë, por porosit që të punohet sa më shumë me ta pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijnë suksese të dëshiruara. /Zëri/