Yjet e rinj të Premierligës

Sport August 06, 2018 - 12:03

Me Botërorin, që tashmë ka mbetur vetëm në kujtesën e tifozëve, bota e futbollit ka filluar t’i kthejë sytë kah ligat kombëtare. Vetëm pak ditë na ndajnë nga fillimi i sezonit të ri në Premierligën angleze dhe ne ua sjellim disa prej lojtarëve të rinj që pritet të shkëlqejnë gjatë këtij viti

Ligat më të mëdha evropiane të futbollit janë shumë afër fillimit të edicionit të ri, shkruan sot gazeta Zëri.

Brenda pak ditësh tifozëve të futbollit do t’u kthehen emocionet e kampionatit më atraktiv në botë, atij të Premierligës.

BBC-ja sjell disa prej futbollistëve të rinj që pritet të shkëlqejnë gjatë edicionit 2018/2019 në Premierligë.

Ryan Sessegnon – Fulham

Sessegnon u shpall lojtari i vitit në Championship me vetëm 18 vjet mbi supe. Pavarësisht moshës së re dhe faktit se nuk ka luajtur në kategorinë e parë, Sessegnon tashmë është një emër i njohur për futbollin anglez falë atletikës, pozicionimit dhe nuhatjes që ka ai për gol. Londinezi është paraqitur në 52 ndeshje gjatë edicionit të kaluar me Fulhamin dhe ka realizuar 16 gola. Londinezi, i cili ka qenë pjesë e akademisë së Fulhamit, debutimin e tij e ka bërë në gusht të 2016-s si 16-vjeçar.

Ruben Neves – Wolverhampton

Mesfushori portugez i është bashkuar Wolverhamptonit nga Porto verën e kaluar për një shifër rekord të klubit prej 16 milionë funtesh. 21-vjeçari ka shkëlqyer me mesataren e tij të pasimeve të sakta dhe me qetësinë gjatë mbajtjes së topit. Ai kishte realizuar gjashtë gola gjatë edicionit të kaluar dhe të gjitha nga jashtë zonës. Portugezi nënshkroi kontratë të re pesëvjeçare me klubin anglez gjatë muajit të kaluar.

Ethan Ampadu – Chelsea

Ampadu, djali i ish-futbollistit të Swanseas dhe West Bromwichit, Kwarne, ka luajtur rol të rëndësishëm në përgatitjet e Chelseat për edicionin e ri. Ai erdhi në “Stamford Bridge” si një qendërmbrojtës nga klubi i vendlindjes së tij, Exter City, por tani mund të luajë edhe si një mesfushor mbrojtës. Ai ka luajtur së bashku me David Luizin në zemër të mbrojtjes së Chelseat në dy miqësoret e para të londinezëve, që do të thotë se Maurizio Sarri ka besim të madh në të.

Phil Foden – Manchester City

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është një adhurues i madh i adoleshentit, i cili ishte pjesë e suksesit të ekipit U-17 të Anglisë në Kupën e Botës gjatë tetorit të kaluar, ku fitoi edhe çmimin si lojtari më i mirë i turneut. Mesfushori me tipare sulmuese ka treguar aftësitë e tij si golashënues në nivelin e të rinjve dhe është paraqitur mjaft mirë për Cityn në parapërgatitjet për sezonin e ri në SHBA.

Callum Hudson-Odoi – Chelsea

Hudson-Odoi ka përjetuar tituj të ndryshëm me të rinjtë e Chelseat që prej transferimit në klub në vitin 2007 dhe 17-vjeçari ka impresionuar me paraqitjet për londinezët gjatë miqësoreve të verës.  Ai ka luajtur titullar në tri ndeshjet miqësore kundër Perth Gloryt, Interit dhe Arsenalit. Pavarësisht se nuk ka përvojë në nivelin e seniorëve, londinezi ka besim në vetvete. /Zëri/