Pickord, i njëjti edhe pas shkëlqimit në Botëror

Sport August 06, 2018 - 12:00

Jeta e Jordan Pickfordit ka ndryshuar pas shpërthimit të tij me Anglinë në Kupën e Botës, por ai nuk është lëkundur prej lëvdatave dhe nuk shqetësohet prej kritikave. Pickford është kthyer më herët nga pushimet me të dashurën e tij Megan, për shkak të Evertonit. Ai është i gatshëm për fillimin e sezonit të ri

Pas natës më emocionuese të jetës së tij dhe sigurisht edhe të futbollit anglez së fundmi, të gjithë mund të kemi pritur se Jordan Pickord do të jetë duke ngjitur muret dhe duke vrapuar për shkak të adrenalinës.

Pasi kishte pritur penaltinë e Carlos Baccas, duke bërë që Anglia për herë të parë të fitojë me penalti në një Botëror, i gjithë vendi ishte çmendur, por për portierin ishte thjesht një rutinë.

Ai nuk u shtri në shtrat për t’i lexuar lëvdatat në internet dhe për t’i shikuar videot e asaj pritjeje vendimtare, shkruan sot gazeta Zëri.

Derisa mamaja e tij Sue dhe e dashura Megan po e prisnin së bashku me familjarët dhe miqtë e tij, Pickford nuk ishte në gjendje t’i shihte më të dashurit e tij.

“Gjithçka ishte më e qetë pas ndeshjes. Unë u thirra për testin e dopingut, kështu që nuk munda të shkoja të shihja prindërit dhe zonjushën time! Pastaj shkuam drejt në kampin tonë. Unë menjëherë fjeta. E kam parë vetëm një herë ose dy. Unë nuk u shtriva duke e parë atë. Është e mirë që ta shikosh, por duhet të shikosh përpara, të shkosh drejt fitores së ardhshme. Telefoni im ishte çmendur komplet. Qesharake. Ndjekësit e mi në ‘Instagram’ sidoqoftë kanë ndenjur zgjuar!”, thotë Pickford.

Për 24-vjeçarin ka qenë një verë e bujshme dhe që ia ka ndërruar plotësisht jetën.

Ai kishte parë videon në televizion derisa tifozët festonin dhe hidhnin birrën në ajër në vendlindjen e tij në Sunderland e deri në Croydon.

“E vërteta është se unë emocionohem më shumë gjatë intervistave të tilla. Futbolli nuk më shqetëson mua. Unë thjesht e shijoj. Kur shkoni në klub për të nënshkruar ose për prova dhe për gjëra të tilla në këso raste emocionohem. Unë u ndjeva gati. Ne kishim bërë punën tonë. Në çdo penalti kisha vazhdimësinë e njëjtë dhe e dija saktësisht se çfarë doja të bëja. U ndjeva i qetë dhe ndjeva sikur mund ta realizoja këtë gjë për shtetin. Mendoja se ka më pak presion në portierin sesa në gjuajtësin. Por, unë isha në gjendja që të gjuaja vetë. Do të isha i sigurt. E di saktësisht se ku do të gjuaja, por nuk do t’ua them juve”, shprehet reprezentuesi anglez.

“Reagimi ishte i mrekullueshëm. Ne e bëmë tonën dhe e kthyem buzëqeshjen në fytyrat e njerëzve. Për këtë gjë duhet të jetë futbolli ndërkombëtar. Unë dua të luaj për Anglinë sa më gjatë që të mundem. Nuk ka ndjenjë tjetër më të mirë”, thotë ai.

Pickfordi kishte vetëm tri paraqitje për Anglinë para Kupës së Botës.

Gjatë grumbullimit të tij të parë me Anglinë para një viti ish-kapiteni Wayne Rooney ia kishte dërguar një fotografi ish-bashkëlojtarit të Pickfordit te Sunderlandi George Honeymanit duke i thënë: “Ai nuk ka thënë asnjë fjalë!”.

Pickford qesh me këtë. “Do të jetë e frikshme, apo jo? Të shkosh me autobusin e Anglisë për herë të parë si djalë i ri, i ulur krah golashënuesit më të mirë në histori të Anglisë dhe ish-kapitenit. Kush nuk do të ishte i emocionuar”, shprehet 24-vjeçari.

“Unë isha i ulur përballë tij dhe Jordan Hendersonit. Wayne ishte një person i mrekullueshëm për të mësuar nga ai. Ai gjithmonë gjente kohë për të këshilluar dhe më shkruante për të më dhënë përkrahje gjatë Kupës së Botës”, thotë portieri i Evertonit.

Rooney nuk ishte i vetmi me të cilin ai pati kontakte. Joe Hart i dërgoi atij mesazhe për t’i uruar fat, pasi kishte marrë vesh se nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Gareth Southgatet.

Kishte dyshime nëse Southgate do t’i besonte numrin 1 Pickfordit.

Pas ndeshjeve kundër Tunizisë dhe Panamasë ai u kritikuar për golin e pësuar ndaj Belgjikës nga Adnan Januzaj.

“Portieri është pak i çuditshëm. Ai shkon me dorën e gabuar. Këmbët e tij janë lart në ajër”, kishte deklaruar Gary Neville.

Portieri belg Thibaut Courtois pastaj tha se një portier më i gjatë do ta priste atë.

“Ana mentale ime gjatë ndeshjes është shumë e fortë. Nuk ndikon shumë tek unë. Të gjithë mund të më kritikojnë nëse duan. Unë e di nëse kam luajtur mirë ose keq. Unë gjithmonë e pyes babanë tim dhe ai më thotë drejt. Njerëzit e tjerë nuk ndikojnë tek unë. Thjesht, ka të bëjë me përmirësimin tim. Unë ende flas me ish-trajnerin tim Mark Prudhoe te Sunderlandi dhe ai është shumë i sinqertë me mua”, shprehet Pickford.

Forma e jashtëzakonshme e Pickfordit ka sjellë edhe spekulimet për ndonjë largim të mundshëm nga Evertoni, me Chelsean që ka shprehur interesim.

Por ai është i përqendruar te Evertoni, ku është kthyer nga pushimet të premten dhe synon që ekipi i tij të sigurojë një vend në gjashtëshen e parë të tabelës.

“Unë thjesht u dëfreva pak dhe shkova në Greqi me të dashurën time. Sezoni është shumë afër, kështu që i shkurtova pushimet. Trajneri Marco Silva më telefonoi disa herë gjatë Kupës së Botës dhe kam folur edhe me trajnerin e ri të portierëve. Ndihem i freskët dhe dua të përmirësohem”, përfundoi portieri. /Zëri/