Kosova në pritje të Majlindës

Sport August 04, 2018 - 12:30
Lexoni më shumë detaje

Kosova e ka nisur mirë rrugëtimin drejt lojërave olimpike “Tokio 2020”, pasi sporti numër 1 i Kosovës në arenën ndërkombëtare, xhudoja, qysh herët ka filluar të tubojë pikë olimpike nga garat kualifikuese, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në garën e parë kualifikuese për “Olimpiadën 2020”, “Grand Prix” në Zagreb, Akil Gjakova e fitoi medaljen e artë dhe 700 pikë olimpike. Kurse xhudistja Nora Gjakova në të njëjtën garë i fitoi 252 pikë me tri fitore e dy humbje. Distria Krasniqi u eliminua herët, por ajo mbetet kandidate për të shkuar në Japoni pas dy vjetësh. Andaj, nga kategoria 52 kg ajo ka zbritur në kategorinë 48 kg.

Arsyeja është se nga e njëjta kategori nuk lejohet të kualifikohen dy garuese. Në kategorinë 52 kg vendin e ka Majlinda Kelmendi, e cila gjithsesi mbetet shpresa kryesore e Kosovës. Ajo në olimpiadën e fundit “Rio 2016” e ka fituar medaljen e artë olimpike për Kosovën.

Por kohëve të fundit po punon në sajimin e një lëndimi, i cili ia ka pamundësuar pjesëmarrjen në disa gara të mëdha. Për të mos rrezikuar ajo nuk mori pjesë as në garën e parë kualifikuese në Zagreb, raporton "Zëri".

Nuk dihet nëse do të marrë pjesë në Kupën e Botës, e cila do të mbahet në shtator në Azerbajxhan, e vlefshme për pikë olimpike e ku Nora, Distria e Akili pritet të marrin pjesë, e ndoshta atyre do t’u bashkohet edhe Loriana Kuka, një xhudiste shumë premtuese, një kandidate tjetër e mundshme për të shkuar në Olimpiadë.

“Majlinda do të kthehet shpejt. Patjetër që ajo është lidere e ekipit. Nuk jam i sigurt nëse Majlinda do të garojë në Botëror”, ka thënë për “Zërin” trajneri Driton Kuka.

“Majlinda po ushtron seriozisht dhe me intensitet të lartë qe një muaj. Por nuk e di nëse do të mundë të kthehet ashtu siç duam në Botëror, por pas Botërorit do të jetë pjesëmarrëse në të gjitha garat e mëdha”, është shprehur Kuka.

Majlinda Kelmendi vazhdon të vlerësohet si “mbretëreshë” e sportit kosovar. Ajo është kampionia e vetme olimpike e shtetit tonë. Në olimpiadën e kaluar “Rio 2016”, Majlinda e fitoi medaljen e artë, duke e ngritur Kosovën lart në ranglistën botërore sportive.

Përpos Majlindës në “Rio 2016” kishte garuar edhe Nora Gjakova. Ato ishin sportistet e vetme që kishin shkuar në olimpiadë me norma. Reprezentuesit tjerë kishin shkuar me ftesa dhe pa gjasa për medalje.

Xhudoja i ka sjellë medalje të shumta e të rëndësishme Kosovës nga garat më të mëdha të xhudos ndërkombëtare. Majlinda Kelmendi nuk ka lënë medalje pa fituar.

Ajo në xhudo vlerësohet si Lionel Messi në futboll. /ZËRI/