Kosova me tri klube në garat evropiane prej edicionit të ardhshëm

Sport August 03, 2018 - 14:44
Detajet

Paraqitjet dinjitoze të Dritës dhe Prishtinës në garat e sivjetme evropiane kanë bërë që prej edicionit të ardhshëm në garat e UEFA-s të shkojnë tri ekipe nga Kosova.

“Zëri” raporton se kampionia e ardhshme e Kosovës do të shkojë në kompeticionin e Ligës së Kampionëve, ndërsa fituesja e Kupës së Kosovës dhe nënkampionia do të shkojnë në kompeticionin e Ligës së Evropës. Mirëpo, ekipet nga shteti jonë do të vazhdojnë të luajnë nga parakualifikimet.

Kjo pritet të konfirmohet së shpejti edhe nga UEFA përmes Federatës së Futbollit të Kosovës.

Siç dihet, FC Prishtina në kualifikimet e Ligës së Evropës sivjet e kaloi xhiron e parë, kurse u eliminua në të dytën, raporton “Zëri”.

Ndërsa, Drita i ka mposhtur dy kundërshtarë në turneun parakualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa është eliminuar në xhiron e parë kualifikuese.

Pastaj gjilanasit vazhduan në xhiron e dytë eliminatore të Ligës së Evropës, por aty edhe u eliminuan. Në dy edicionet e mëparshme Kosova ka marrë pjesë me nga dy klube në garat evropiane./Zëri

Image