Lëndohet Valon Berisha

Sport August 03, 2018 - 13:57
Detajet

Valon Berisha ka pësuar një lëndim gjatë fazës përgatitore me ekipin e tij të ri, Lazion, transmeton zeri.info

Reprezentuesi i Kosovës është ankuar se ka probleme në muskuj dhe nuk është duke u stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës së Lazios.

"Ai tashmë i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe në ditët e ardhshme do të mësohet se sa gjatë do t'i mungojë ekipit. Në Lazio shpresojnë që të mos jetë ndonjë problem serioz", raporton "lazionews.eu".

25-vjeçari iu bashkua Lazios në fillim të muajit të kaluar nga skuadra austriake, Red Bull Salzburg. Mesfushori, i cili i kushtoi klubit italian 7.5 milionë euro, ka nënshkruar kontratë pesë-vjeçare me lazialët.

Berisha, i cili u largua nga Red Bull Salzburg pas tre vitesh të kaluara në Austri, pati disa paraqitje mjaft të mira në ndeshjet miqësore të luajtura gjatë javëve të kaluara.

Së bashku me Berishën në Lazio janë edhe dy futbollistët e tjerë shqiptarë, Thomas Strakosha dhe Riza Durmishi, i cili ishte transferuar te klubi italian gjatë muajit qershor nga Real Betisi./Zëri