City dhe PSG-ja, fajtore për çmimet e larta të lojtarëve

Sport August 03, 2018 - 11:31
Detajet

Presidenti i Bayern Munichut Karl-Heinz Rummenigge ka kritikuar Juventusin për shpenzimin e 110 milionë eurove për të nënshkruar me Cristiano Ronaldon. Rummenigge insiston se klubi italian pagoi më shumë sesa duhet për një 33-vjeçar. Gjermani gjithashtu fajësoi Manchester Cityn dhe Paris Saint-Germainin për inflacionin e çmimeve në tregun e transferimeve, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Karl Heinz Rimmenigge ka shprehur pakënaqësitë e tij me çmimet e sotme të transferimeve në botën e futbollit. Presidenti i Bayern Munichut ka kritikuar Juventusin për shpenzimin e 110 milionë eurove për të nënshkruar me ish-yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo.

Kampioni italian theu rekordin e klubit për transferime kur vendosi të shpenzojë para të majme për nënshkrimin e reprezentuesit portugez gjatë muajit të kaluar, pavarësisht se kishin kaluar vetëm pak muaj që ai kishte mbushur tashmë 33 vjeç.

Rummenigge e kupton arsyen se pse Juventusi ishte i vendosur që ta transferonte Ronaldon pasi ai kishte shprehur dëshirën për t’u shitur, por insiston se shuma e paguar për të ishte shumë e lartë, duke konsideruar moshën e tij.

“Ronaldo? Isha i befasuar nga fakti se Andrea Agnelli vendosi ta realizojë këtë marrëveshje, por në këndvështrimin e Juves ka kuptim”, deklaroi Rummenigge.

“Futbolli italian ka rënë gjatë viteve të fundit, por ne kurrë nuk do të investonim para të tilla për një 33-vjeçar”, shton ai.

Bayern Munichu ka shpenzuar vetëm 19 milionë euro gjatë kësaj vere dhe ky ishte një investim për të ardhmen pas nënshkrimit me 17-vjeçarin kanadez Alphonso Davies, nga Vancouver gjatë muajit të kaluar. Rummenigge beson se suksesi nuk ka nevojë që të blihet dhe e çoi vëmendjen te Real Madridi, që ka shpenzuar pak para së fundmi por ka fituar tre tituj radhazi të Ligës së Kampionëve.

62-vjeçari e pranoi se ai ka qenë i befasuar nga shuma e parave të shpenzuara nga lojtarët përreth Evropës gjatë edicioneve të fundit, por ai e di se kë të fajësojë për këtë gjë.

“Nëse çmimet janë të larta, atëherë është faji i Manchester Cityt dhe i Paris Saint-Germainit. Nuk ka nevojë që të bësh çmenduri për të fituar Ligën e Kampionëve. Thjesht, shikojeni se çfarë ka bërë Real Madridi gjatë edicioneve të fundit pa shpenzuar thuajse fare dhe kjo është gjithashtu filozofia jonë”, përfundoi gjermani./Zëri