Nga Londra në Prishtinë me biçikletë

Sport August 02, 2018 - 16:19
Ai rrëfen për “Radio Prishtinën” eksperiencën e tij

I pasionuar pas biçikletës, Labinot Sherifi ka marrë rrugën nga Londra për në Prishtinë po me këtë mjet. Ai pas 3000 kilometra të kaluara më në fund ka mbërritur tek “Newborn” në qendër të Prishtinës.

Sherifi për “Radio Prishtinën” ka treguar për këtë rrugëtim të tij i cili ka filluar me 23 qershor dhe ka përfunduar sot me 2 gusht. Labinoti kështu bëhet personi i parë i cili kalon një rrugë kaq të madhe për të ardhur në Kosovë me një mjet të tillë.

Ai për “Radio Prishtinën”, ka thënë se ky rrugëtim ishte i vështirë por që e ka bërë për nder të 10 vjetorit të pavarësisë dhe se ndihet shumë i lumtur që e ka përfunduar me sukses këtë aventurë.

LEXO EDHE: I riu prishtinas bën ëndrrën realitet, niset nga Londra për në Kosovë me biçikletë

“Udhëtimi ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, por jam shumë i lumtur që e kam marr dhe që e kam kryer këtë vendim, për familjen time, shokët e mi dhe për veten time. Rrugës jam kënaqur, kam kaluar shumë mirë, nuk kam pasur asnjë problem e kam shëtitur gati krejt Evropën. Ka qenë një rrugë shumë e gjatë, gjithsej 3 mijë kilometra”, ka thënë ai.

Ky udhëtim atij i ka shërbyer edhe për ti parë vendet e Evropës.

“Kam qenë prej Anglisë në Holandë, në Belgjikë, në Luksemburg, në Gjermani, në Francë, Kroaci, Slloveni, Serbi, Shqipëri e deri në Kosovë”, ka rrëfyer tutje ai.

Para se të vinte në Prishtinë ai ka vizituar edhe vendin historik, Prekazin dhe krejt këtë rrugëtim ai ia ka dedikuar 10 vjetorit të pavarësisë.

“Dje kam qenë në Prekaz për të parën herë. Aty e kam ndjerë veten shumë krenar. Kam dashur me e festu dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, e kam hobi me shëtitë me biçikletë, po ashtu edhe me e pa Evropë.  Mbështetja që kam pasur nga familja dhe miqtë ka qenë e pabesueshme”, ka përfunduar Sherifi.

Për këtë sukses të të birit është deklaruar edhe babai i tij, Vehbi Sherifi. Ai për “Radio Prishtinën”, ka thënë që ndihet shumë krenar për këtë rrugëtim të të birit.

“Labi është nisur nga Londra me 23 Qershor pas një përgatitje bukur të gjatë, përgatitje fizike, psikologjike e të gjitha këto. Me 23 qershor është nisur nga Londra, destinacioni kryesor ka qenë Prishtina. Nuk e kemi pritur që kanë me dal kaq shumë qytetarë. Ka pasur  qytetarë të organizuar por edhe qytetarë të rastit. I falënderojmë shumë. Ndjenja e prindit janë të dyja edhe e frikës edhe e krenarisë. Këtu fitoi krenaria. Jam shumë i lumtur. Nuk ka pas shumë probleme rrugës, gjithkund ka pasur pritje, përcjellje, takime shumë të mira që i falënderohemi edhe ne në emër të tij.  Ai ka qenë i vetëm. Vetëm është nis, vetëm ka arrit. Kontaktet kanë qenë të rregullta. E kemi pasur obligim të jemi në kontakt”, ka rrëfyer Vehbi Sherifi babai i Labinotit. /ZËRI