Modric, ylli që s’paguhet sa meriton!

Sport August 02, 2018 - 14:25

Luka Modric është sot njëri prej futbollistëve më të mirë në botë, mirëpo mesfushori kroat nuk paguhet me shifra marramendëse si Messi, Ronaldo, Neymar e yjet tjerë. Nënkampioni botëror përfiton nga kontrata me Realin dhe nga marketingu. Por sa do të fitonte regjisori i mesfushës nëse këtë verë transferohet në Inter?

Interi ëndërron ta transferojë mesfushorin më të mirë në botë, shkruan sot gazeta Zëri.

Po flasim për Luka Modricin, i cili i ka mahnitur të gjithë ndër vite me aftësitë e tij të jashtëzakonshme teknike.

Ylli kroat po kalon momente magjike te Real Madridi, por së fundmi spekulohet se ai mund t’u bashkohet dy bashkëkombësve të tij, Ivan Perisic dhe Marco Brozovic te “Nerazzurri”.

Por, a ka klubi nga Serie A para për ta paguar përfaqësuesin kroat, i cili së fundmi u shpall nënkampion i botës?

Te “Los Blancos” ish-futbollisti i Tottenhamit nuk është ndër lojtarët më të paguar, por megjithatë kroati merr shifra të rëndësishme dhe të “fryra” për futbollin italian.

Rroga e Modricit

Luka Modric ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2020.

Aktualisht futbollisti kroat paguhet me rrogë prej 10 milionë eurosh në vit në “Santiago Bernabeu”.

Një shifër jo fort e lartë duke e konsideruar rëndësinë e kroatit, i cili aktualisht është mesfushori më i mirë në botë dhe që vjen nga vendi i dytë në Botërorin e Rusisë me Kroacinë dhe nga tri liga të kampionëve të fituara radhazi me klubin spanjoll.

Sponsorët e Modricit

Për dallim me Cristiano Ronaldon, i cili është një “makineri parash” kur bëhet fjalë për marketingun, Modric ka më pak të ardhura dhe më pak marrëveshje me sponsorët. Megjithatë, edhe kroati është “OK” sa i përket marketingut.

Ai ka marrëveshje me kompani serioze dhe pa dyshim se më e rëndësishmja për të është kompania e veshmbathjeve “Nike”.

Rroga në Inter

Futbollisti që merr më së shumti para tek Interi është Mauro Icardi.

Aktualisht futbollisti argjentinas e merr rrogën vjetore 5 milionë euro në “Giuseppe Meazza”.

Gruaja e tij, Wanda Nara, po e shtyn futbollistin që të kërkojë 9 milionë euro në vit për ta vazhduar kontratën, ndërsa Interi ka shkuar me ofertë deri në 8 milionë.

Në letër, pavarësisht fakti se Modric duket një ëndërr e parealizueshme, duke i pasur parasysh kërkesat e Realit për ta shitur dhe afro 10 milionë eurot rrogë transferimi i Modricit në Inter nuk është një mision i pamundshëm.

Pa dyshim me transferimin e Arturo Vidalit nga Bayern Munichu, Radja Nainggolanit nga Roma dhe Luka Modricit nga Real Madridi, Interi do ta bënte një prej mesfushave më të mira në Evropë dhe do të ishte pretendues i rëndësishëm për ta fituar titullin e kampionit në Itali dhe të shkojë sa më larg në Ligën e Kampionëve, ku do të rikthehet nga sezoni i ardhshëm pas disa vitesh mungesë. /Zëri/