'Camp Nou', shënjestër e terroristëve

Sport August 02, 2018 - 14:22

Stadiumi “Camp Nou” është vënë në shënjestër të terroristëve. Në vitin 2017 terroristët kishin planifikuar ta sulmonin stadiumin e njohur evropian në ndeshjen Barcelona – Betis. Mirëpo bota e futbollit shpëtoi mrekullisht pa u prekur, derisa qyteti i Barcelonës dhe Tarragona u sulmuan, duke i lënë të vdekur 16 persona

Lajme të reja janë zbuluar nga atentati i 17 gushtit në Barcelonë, shkruan sot gazeta Zëri.

Në atë kohë ishin paraparë disa aksione të armatosura qysh në xhiron e parë të kampionatit spanjoll ndërmjet Barcelonës dhe Betisit.

Sipas të përditshmes spanjolle “El Periodico”, janë zbuluar biseda të reja në telefonat celularë të xhihadistëve, që kishte rezultuar me sulme në Barcelonë dhe në Cambrils (Tarragona).

Në planet e terroristëve, të cilët i vranë 16 persona dhe i lënduan më shumë se 100 të tjerë, ishin programuar edhe sulme të tjera.

“Camp Nou”

Një prej objektivave të ndjeshëm ishte “Camp Nou” qe një kohë të gjatë në shënjestër të sulmeve: objektiv ishte që të goditej zemra e qytetit dhe e skuadrës që më shumë se gjithçka tjetër e përfaqëson Katalonjën.

Organet e policisë spanjolle i kanë nisur më parë hetimet rreth aksioneve të terroristëve, objektiv i të cilëve ishte që të lëviznin direkt në “Camp Nou” dhe pikërisht koiçidon me atë ndeshje, e cila ishte zhvilluar tri ditë pas sulmit.

Hetimet

Në analizat e telefonave celularë të Hichamy Mohammed, njëri prej terroristëve të vrarë më 18 gusht në Cambrils, janë zbuluar disa plane dhe informacione rreth orareve të hyrjeve në stadium, si dhe një seri fotografish.

Hetuesit gjithashtu kanë zbuluar se, ndër të tjera, është siguruar informata se dy prej terroristëve ishin parë duke u endur përreth stadiumi menjëherë pas sulmeve në qytet.

Aksioni

Ajo që është ende duke u hetuar është lloji i aksionit.

Policia nuk është ende në gjendje ta interpretojë se “si” terroristët e kishin ndërmend të vepronin.

Posaçërisht brenda ose jashtë strukturës së stadiumit. Për këtë hetimet janë duke vazhduar ende për ta përcaktuar se si do të sulmohej “Camp Nou”.

Mundësitë më të mëdha: Një fugon bombë ose xhaketa e shpërthyer që vendosen në mbathjet e njerëzve.

Kjo e fundit është përdorur nga terroristët që kanë arritur në zonën e pikave të qasjes në stadiumin “Saint Denis” gjatë miqësores ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, që ishte luajtur në Paris në nëntor të vitit 2015. /Zëri/