Shkëndija vazhdon ëndrrën evropiane

Sport July 31, 2018 - 20:55
Detajet

Shkëndija është kualifikuar në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, shkruan zeri.info

Klubit tetovar i mjaftoi një barazim pa gola 0:0 në udhëtim te FC Sheriffi, duke kaluar tutje në raundin tjetër falë fitores në shtëpi me rezultatin 1:0.

Minutat e para të takimit ishin mjaft të qeta, me dy ekipet që tregoheshin të kujdesshëm, ndërsa më pas iniciativën e mori klubi vendas që ishte në ndjekje të rezultatit,

Ndërkohë, Shkëndija rrezikonte me anë të kundërsulmeve. 

Por, pavarësisht disa rasteve të mira që i pati, Sheriffi nuk arriti dot të shënojë dhe 45 minutat e para u mbyllën pa gola.

Ritmi i lojës nuk ndryshoi as në pjesën e dytë, me moldavët që kërkonin golin, por që hasnin në mbrojtjen e fortë të klubit tetovar.

Deri në fund të takimit, Shkëndija arriti të tregohej mjaft solide në mbrojtje dhe në fund edhe e mori atë që e deshi, kualifikimin tutje.

Ky ishte një kualifikim historik për tetovarët pasi që kjo është hera e parë që ky klub siguron raundin e tretë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Në rrethin e tretë të kualifikimeve, Shkëndija do të ketë punë me Red Bull Salzburgun, klub i cili në edicionin e kaluar kishte arritur deri në gjysmëfinale të Ligës së Evropës./Zëri