Rundi i tretë në Europa League, mision i Shkëndijës

Sport July 31, 2018 - 14:15

Shkëndija do të mundohet ta ruajë sonte kapitalin e krijuar në ndeshjen e parë ndaj Sheriff Tiraspolit, në ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, shkruan sot gazeta Zëri.

Kuqezinjtë e fituan ndeshjen e parë në Shkup me rezultat minimal, 1:0, falë golit të Besart Ibraimit, ndërsa hasën në vështirësi në pjesën e dytë, ku kundërshtari ishte më i rrezikshëm.

Tash skuadra e Qatip Osmanit e ka marrë rrugën drejt Moldavisë, me mision për të kaluar në rrethin e tretë kualifikues të Championsit, që do të ishte një e arritur historike për ekipin tetovar.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në “Stadionul Sheriff – Tiraspol” dhe do të fillojë në orën 19:00. Shkëndija e kaloi në rrethin e parë ekipin uellsian The New Saints, ndaj të cilit dominoi totalisht.

Në rast se e kalon eventualisht edhe ekipin nga Moldavia, kampioni i Maqedonisë dhe njëherësh krenaria e krejt shqiptarëve në rrethin e tretë kualifikues do të takohej me ekipin e njohur austriak, Red Bull Salzburg, i cili sezonin e kaluar kishte shkuar deri në gjysmëfinale të Europa Leagues. /Zëri/