Si 20-vjeçar!

Sport July 27, 2018 - 12:12

Cristiano Ronaldo është sot 33 vjeç, mirëpo mosha e tij nuk përputhet assesi me kapacitetin e tij nëse i shikojmë statistikat e vizitave mjekësore që i bëri së fundmi me Juventusin. Mjekët e klubit italian janë mahnitur me karakteristikat e tij. “CR7”-shi me formën e tij fizike i ngjan një 20-vjeçari

Nëse tifozët juventinë janë të ekzaltuar për arritjen e një kampioni të madh si Cristiano Ronaldo, tifozët e skuadrave tjera kanë dyshime rreth kontributit që mund ta japë ylli portugez, shkruan sot gazeta Zëri.

Ka prej tyre që thonë se “do të përdoret pak”, të tjerë mendojnë se është “vetëm për marketing”, kurse të tjerë thonë se është i vjetër dhe se mund ta shkatërrojë ambientin tek ekipi bardhezi.

Mirëpo sipas ekzaminimeve mjekësore, duket se Cristiano Ronaldo e ka fizikun e një ylli të ri që është duke u formuar.

Në “Medical Center” të Juventusit mjekët e pranishëm kanë mbetur gojëhapur nga rezultatet e arritura nga Cristiano Ronaldo, tash 33 vjeç, mbi të gjitha në testin e forcës.

Në “Allianz Stadium”, Cristiano Ronaldo u është nënshtruar kontrolleve të reja në klubin torinez.

Sipas një makroanalize, fiziku i portugezit është në kohën e reagimit të një futbollisti të moshës 20-vjeçare dhe përqindja e trashjes së trupit është 3% inferiore në krahasim me mesataren e futbollistëve profesionistë.

Ndërsa masa muskulore arrin në 50%, 4% superior në krahasim me mesataren e lojtarëve të tjerë, derisa sa i përket maksimumit të shpejtësisë e bërë gjatë një vrapimi provues ka arritur në shifrën prej 33.9 kilometra në orë.

Bëhet fjalë edhe në këtë rast për një rekord për Serie A, pasi asnjë lojtar tjetër nuk duket në gjendje ta bëjë të njëjtën gjë.

Cristiano Ronaldo ka thënë se këto shifra nuk e befasojnë pasi është i përgatitur maksimalisht në aspektin fizik. Sipas tij, numrat ishin të paraparë nga ai.

“Nuk jam këtu për t’i demonstruar statistikat e mia, ato i njihni tashmë”, kishte thënë “CR7”-shi në konferencë për shtyp gjatë prezantimit të parë.

Tash Ronaldo e ka objektiv ta sjellë Juventusin te e shumëkërkuara dhe e shumëdëshiruara Liga e Kampionëve, por “Bianconeri” duhet ta dijë se si dhe ku ta shfrytëzojë yllin portugez.

Në dy sezonet e fundit në Real Madrid, në fakt, portugezi ka luajtur më pak në kampionat, duke i evituar gjithashtu të gjitha ndeshjet në Copa del Rey në kampionatin e fundit.

Përdorimi i tij më i suksesshëm është ai në Ligën e Kampionëve, ku ia ka sjellë suksesin e trefishtë radhazi ekipit “Los Blancos”.

Një gjë të tillë mund ta bëjë edhe trajneri Massimiliano Allegri, që mund ta përdorë më shumë lojtarin në Evropë sesa në Serie A. /Zëri/