Luajti i lënduar në Botëror, s'e bëri të madhe!

Sport July 26, 2018 - 17:52

Sulmuesi francez, Kylian Mbappe ka zbuluar se ka luajtur në gjysmëfinale dhe finale të Botërorit i lënduar në shpinë, të cilin e kishte pësuar gjatë “Rusia 2018” nga kundërshtarët.

Në një intervistë për magazinën “France Football”, Mbappe thotë se ai i kishte të zhvendosura tri rruaza në shpinën e tij gjatë turneut që u mbajt në Rusi, tri ditë para fitores së Francës në gjysmëfinale ndaj Belgjikës me rezultat 1:0.

Franca fitoi 4:2 në finalen e Botërorit ndaj Kroacisë dhe Mbappe ishte protagonist në këtë eveniment.

“Ishte esenciale që të mos i lajmëroja kundërshtarët, në të kundërtën ata do ta përdornin këtë dhe do të mundoheshin të më lëndonin në pjesë të ndjeshme”, ka thënë Mbappe, i cili realizoi katër gola në Botëror.

“Kjo është arsyeja se përse, me stafin teknik dhe lojtarët, e mbajtëm të fshehur këtë edhe në finale”, shtoi ylli i Paris Saint-Germainit.

19 vjeçari u zgjodh futbollisti më i mirë i ri i Botërorit, ndërsa u bë lojtari i dytë më i ri në histori që shënon gol në finale të Botërorit. /Zëri/