Osmani: Përparësi minimale e Shkëndijës, por e rëndësishme

Sport July 25, 2018 - 11:36

Shkëndija me epërsi minimale 1:0 javën e ardhshme do të udhëtojë drejt Moldavisë për duelin e kthimit të raundit të dytë të eliminatoreve të Champions League kundër Sheriff Tiraspolit, shkruan Zeri.info.

Besart Ibraimi solli fitoren e 11-të në kupat europiane dhe të dytën në Champions, por ky triumf do të ketë vlerë të plotë nëse kuqezinjtë arrijnë kualifikim në raundin e tretë.

Trajneri Qatip Osmani vlerëson triumfin minimal, ndërsa ndjen keqardhje që nuk u shënua të paktën edhe ndonjë gol posaçërisht në pjesën e parë kur u humbën disa raste të  mira.

“Përgëzoj lojtarët për angazhimin e dhënë dhe fitoren. Mendoj se Shkëndija sot morri përparësi edhe pse minimale, gjithsesi duhet të vlerësohet. Gjithsesi para ndeshjes së kthimit në Moldavi mendoj se shanset mbeten të njëjta, ndërsa ne do të kemi një javë për tu përgatitur për ndeshjen e dytë”, deklaroi trajneri Qatip Osmani, duke vijuar.

“Na vjen keq që nuk shënuam edhe ndonjë gol, posaçërisht në pjesën e parë kur humbëm disa mundësi të mira. Në pjesën e dytë përcaktimi për të mos pranuar gol bëri që të tërhiqemi në pjesën tonë. Në fund me rëndësi është që e mbyllëm me përparësi të cilën do të mundohemi ta ruajmë në ndeshjen e kthimit”, tha Osmani. /Zëri/