Ozil ka qenë katastrofë prej vitesh

Sport July 24, 2018 - 10:40
Detajet

Mesut Ozil vendosi ta mbyllë karrierën e tij ndërkombëtare të dielën pas incidentit të krijuar për shkak të fotografisë së bërë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Por presidenti i Bayern Munichut Uli Hoeness mendon se fotografia me Erdoganin ishte vetëm një shkak dytësor për largimin e mesfushorit nga ekipi i Gjermanisë. Hoeness thotë se Ozil është paraqitur jashtëzakonisht dobët gjatë viteve të fundit, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, thotë se Mesut Ozil u fsheh pas fotos së bërë  me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për t’u pensionuar nga përfaqësuesja gjermane. Hoeness është i lumtur që ylli i Arsenalit u pensionua nga skuadra e Gjermanisë, duke thënë se mesfushori ka qenë i dobët prej vitesh.

29-vjeçari njoftoi të dielën pensionimin e tij nga futbolli ndërkombëtar për shkak të kritikave që mori pas një fotografie të bërë me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan së bashku me bashkëlojtarin Ilkay Gundogan, pak para fillimit të Kupës së Botës.

Fituesi i Kupës së Botës në vitin 2014 kishte marrë vëmendjen kryesore të medieve gjermane për shkak të fotografisë së bërë me figurën kontroverse pak para fillimit të turneut. Gjithashtu për vazhdimin e presionit ndikuan edhe paraqitjet e tij të dobëta në Rusi. Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Reinhard Grindel, kishte thënë se Ozili e ka për obligim që t’u japë një sqarim tifozëve për atë incident, ndërkohë menaxheri i ekipit kombëtar Oliver Bierhoff kishte deklaruar se trajneri Joachim Low mund ta kishte lënë jashtë Botërorit mesfushorin për shkak të asaj fotografie.

Ozil u “zgjua” të dielën kur lëshoi tri deklarata në rrjetet sociale – një për të shpjeguar fotografinë me Erdoganin dhe një tjetër për të goditur kritikuesit dhe ish-sponsorët e tij para se të rrëfente vendimin për pensionim.

Ylli i Arsenalit tha se ai ishte bërë kurban dhe se përkushtimi i tij ndaj Gjermanisë u vë në dyshim për shkak të prejardhjes së tij turke. 

Por Hoeness thotë se largimi i mesfushorit të Arsenalit duhet të jetë i mirëseardhur sepse prej disa kohësh ai ka pasur paraqitje të dobëta. “Jam i lumtur që kjo histori tani përfundoi. Ai ka luajtur katastrofë prej vitesh”, deklaroi Hoeness për “Sport Bild”-in. “Ai së fundmi e ka fituar një duel para Kupës së Botës në vitin 2014 dhe tani ai e paraqitjet e tij katastrofale fshihen pas kësaj fotografie. Kurdo që (Bayern Munichu) luante ndaj Arsenalit, ne luanim nga ai sepse e dinim se ishte pika e tyre e dobët. 35 milionë ndjekësit e tij, që nuk ekzistojnë në botën reale, janë të bindur se ai ka luajtur shumë mirë kur ai ka kompletuar një harkim. Zhvillimi në vendin tonë është një katastrofë. Ne duhet të kthehemi në atë që është sporti. Dhe nga këndvështrimi sportiv, Ozil nuk ka vend në ekipin kombëtar prej vitesh”, përfundoi ai.

Ozil e mbylli karrierën e tij me Gjermaninë pas 92 paraqitjeve dhe 23 golave të shënuar./Zëri